Partizani e nis me “marsh të pestë”! Kalendari i muajit prill, përcaktues për ecurinë e “Demave”
Në klubin e Partizanit kanë nisur nga puna në kuadër të ndeshjes së radhës në Kategorinë Superiore, atë ndaj Vllaznisë më datë katër prill në “Arenën e Demave”.
Pavarësisht se Kategoria Superiore aktualisht ka stopuar për shkak të ndeshjeve të kombëtares, në kampin e kuq po përgatiten maksimalisht për pjesën e mbetur dhe atë finale të sezonit, ku kryeqytetasit do të synojnë që të ruajnë vendin e katërt që garanton pjesëmarrjen në “Final Four”, e më pas në minikampionatin që do të zhvillohet në “Air Albania”, pse jo të mos kërkojnë edhe më shumë duke qenë se pikët do të përgjysmohen, edhe pse në kampin e “Demave”, janë disi të ndrojtur kur vjen puna te çështja e titullit.
KALENDARI – Megjithatë, në fazën e tretë, Partizani tregoi se mund të luajë jo vetëm i barabartë, por edhe superior ndaj rivalëve kryesorë dhe që cilësohen si skuadrat më të forta të kampionatit si Egnatia, Elbasani apo edhe Dinamo, ndërsa bënë mirë edhe ndaj Vllaznisë pavarësisht se u mposhtën 1-0 në “Loro Boriçi”. Pikërisht, ndaj shkodranëve do të luajnë ndeshjen e parë pas rikthimit nga pauza, te sa në këtë sezon ndaj kuqebluve, Partizani nuk ka mundur të koleksionojë asnjë fitore, duke regjistruar dy disfata dhe vetëm një barazim 1- 1 në “Arenën e Demave”. Sigurisht, kjo ndeshje mund të cilësohet edhe si një test i rëndësishëm për të treguar edhe njëherë nëse “Demat e Kuq” mund të synojnë më shumë se sa pjesëmarrja në katërshe këtë sezon. Ndërkohë, pas Vllaznisë, kalendari e përball menjëherë Partizanin edhe me Elbasanin, një skuadër që në këtë sezon është shfaqur po ashtu një “kockë e fortë” për të kuqtë duke qenë se ekipet janë ndeshur plot pesë herë mes njëra-tjetrës duke konsideruar edhe përballjet në Kupën e Shqipërisë.
SFIDAT ME ELBASANIN – Në tre takimet e kampionatit, Elbasani ka fituar në përballjen e parë në shtëpi, ndërsa më pas kanë ardhur dy barazime, ndërsa sa i takon Kupës, Partizani fitoi në Elbasan 0-1, por u përmbys në Kupë me shifrat 1-3 pas kohës shtesë. Kështu, këto ndeshje kanë treguar gjithnjë një rivalitet të lartë sportiv në këtë sezon dhe sigurisht që një triumf në kampionat përballë Elbasanit do të thoshte shumë për kryeqytetasit jo vetëm në aspektin e pikëve, por edhe në atë moral, teksa ndeshjet e muajit prill vijon edhe me përballjet ndaj Bylisit në shtëpi e derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës në “Air Albania”.
RIKTHIMI – Kështu, ndeshjet e para të Partizanit pas rikthimit nga pauza do të tregojnë shumë për skuadrën dhe synimet e saj e mbi të gjitha për forcën reale e atë se çfarë të kuqtë mund të marrin nga ky sezon. Triumfi ndaj rivalëve direkt si Vllaznia e Elbasani, do t’i jepnin një bonus psikologjik ekipit teksa duket se edhe pauza në këtë moment iu erdhi në favor. Kujtojmë se Partizani para kësaj pauze vinte nga një kalendar shumë i ngjeshur dhe lodhja u duk se nisi të ndjehej e të dallohej në dy ndeshjet e para të fazës së katërt aty ku të besuarit e trajnerit Oltijon Kërnaja barazuan ndaj Vorës dhe Teutës me rezultatin identik 2-2. Ndërkohë, gjatë kësaj pauze, stafi teknik i Partizanit do të ketë mundësinë edhe për të rikuperuar futbollistë të rëndësishëm e që nuk ishin në kondicionin e tyre ideal më parë siç ishte rasti i Vusal Isgandarli, Xhuljano Skukës apo Kamer Qakës. Kështu, me besimin se organika do të jetë më e plotë, më e freskët dhe më e relaksuar pas pauzës, te Partizani besojnë dhe shpresojnë që ta nisin kampionatin me “marshin e pestë”, sidomos në ndeshjet ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit, për të dhënë një sinjal të fortë se skuadra është gati dhe me kualitetin e duhur për të synuar titullin kampion, duke bërë kështu një rikuperim të jashtëzakonshëm nga ai fillim i sezonit mes shumë problematikave që sollën më pas edhe ndryshimin e trajnerit Milenkovic dhe emërimin e Oltijon Kërnajës, që riktheu “buzëqeshjen” në kampin e “Demave”.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













