Paradoksi me kampionët, Egnatia mund të fortat dhe ndalet nga të dobëtat
Egnatia vazhdon të ruajë me fanatizëm kreun e klasifikimit me tri pikë diferencë ndaj Dinamos ndjekëse, edhe pse ecuria e javëve të fundit nuk ka qenë ndër më të mirat e mundshme. Barazimi i fundit ndaj Tiranës në shtëpi, i hoqi mundësinë të shkëputej në krye dhe të mos e vinte më në diskutim vendin e parë për javët e mbetura.

Në Rrogozhinë nuk duan ta quajnë krizë, për aq kohë sa skuadra është në vendin e parë dhe për më tepër që të njëjtën ecuri jo të mirë e kanë thuajse të gjithë skuadrat e kreut në këtë fazë të fundit të kampionatit.
NGËRÇI – Ajo që bie në sy përgjatë këtyre pesë javëve të fundit është fakti se Egnatia po “ngec” me ekipet që luajnë për mbijetesë. Praktikisht, në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, rrogozhinasit janë përballur me katër skuadra, të cilat kanë si synim qëndrimin në elitë dhe Dinamon, që është pjesë e “Final 4”. Si për ironi, kampionët kanë mundur vetëm blutë në shifrat e pastra 2-0. Me katër të tjerat nuk kanë gjetur shijen e fitores.
Më konkretisht, u mundën nga Skënderbeu dhe kanë sigluar tri barazime: 1-1 me Teutën, Laçin dhe së fundmi Tiranën. Praktikisht janë nëntë pikë të lëna ndaj kundërshtarëve, që në letër kanë pasur të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin e mundshëm. Megjithatë, për aq kohë sa edhe rivalët po gabojnë dhe Egnatia nuk e ka lëshuar kreun që në momentin kur e ka marrë së fundmi këtë pozicion, në Rrogozhinë nuk kanë pse shqetësohen për ndalesat.
PIKËT E LËNA – Nëse pesë javët e fundit kanë lënë pikë në katër ndeshje me rivalët e mbijetesës, një gjë të tillë rrogozhinasit e kanë bërë edhe më herët, ku kanë gabuar gjithashtu në katër sfida të tjera gjatë gjithë kampionatit.
Bëhet fjalë për humbjet me Teutën, Laçin dhe barazimet me Tiranën dhe sërish Teutën. Pra, bëhet fjalë për dhjetë pikë të tjera të lëna më herët ndaj skuadrave që nuk luftojnë për titull. Në total, rrogozhinasit janë ndalur në tetë përballje me ekipet e mbijetesës, duke pasur 19 pikë më pak në renditje si shkak i këtyre ndalesave.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













