“Na konsideronin klub fshati, tani të bëhen gati”. Kapiteni Tabaku: Suksesi i Vorës shkon për… skeptikët
Sezoni 2024-2025 ka qenë për kornizë për Vorën, pasi shkroi historinë duke u ngjitur për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar, madje si kampione e Kategorisë së Parë. Pas ndeshjes së fundit, ku fitoi Flamurtari në shifrat 1-0, në fushën e blertë u panë momente të rralla, pasi të dyja skuadrat dolën të buzëqeshura, jo nga rezultati, por nga realizimi i objektivave të tyre.

Vora fitoi titullin kampion, ndërsa Flamurtari me fitoren 1-0 rrëmbeu vendin e dytë, duke u bërë kështu dy ekipet që u ngjitën direkt në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm. Keqardhje u vërejt vetëm te disa tifozë kavajas, që dolën të zhgënjyer nga stadiumi, pasi shpresa për Superioren u ka mbetur vetëm përmes “play off”-it. Ngazëlluese ka qenë festa, kur u zhvillua ceremonia e dorëzimit të trofeut nga zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, që ia dhuroi trofeun kapitenit Xhuljo Tabaku, i cili, për “Panorama Sport”, zbërtheu sezonin fenomenal të Vorës.
Tabaku, si u ndjetë në ditën e festës, kur ngritët trofeun?
Emocion shumë i madh për ne dhe një dedikim për skeptikët që kurrë nuk e besonin një gjë të tillë. Ne ishim të bindur, që në fillim të sezonit se plani dhe projekti i klubit do të bëheshin realitet. Unë e kam thënë edhe më parë se detyrat e klubit kanë qenë të qarta për t’u ngjitur në Superiore dhe për të dalë kampion. Ne ia arritëm qëllimit.
Çfarë lidhje kanë skeptikët me suksesin e Vorës?
Një përgjigje për skeptikët, që na konsideronin si një klub fshati. Unë dua t’u them atyre që bëhuni gati për Superioren.
Po tifozëve, çfarë u premtoni?
Tifoëzve u premtojmë se te Vora e Superiores do të shihni futboll të bukur, europian, ambicioz, që do zgjasë ndër vite. Shpresojmë të bëjmë më mirën për ta, të luajmë futboll të bukur asgjë më shumë.
Vora në Superiore do të jetë thjesht kalimtare apo ka ndonjë projekt si ky sezoni i fundit në të Parën?
Duke folur për projektin, mund të them Vora nuk do të jetë kurrë kalimtare në Superiores. Projekti i Vorës është afatgjatë dhe do të zgjasë shumë. E thashë edhe më lart, bëhuni gati për Vorën e Superiores, sepse do të jetë edhe më e fortë, më e mirë dhe më e përgatitur nga ato që ju prisni.
A ka një dedikim special kapiteni Tabaku për këtë sukses?
Kjo shkon për familjen time, vajzën time, për të gjithë tifozët e mrekullueshëm, që kurrë nuk na lanë vetëm, madje as në transfertat më të largëta. Ata kanë qenë të jashtëzakonshëm me ndihmesën që na kanë dhënë. Një dedikim për gjithë shefat e klubit, pa përjashtim, të gjithë aktorëve të këtij suksesi me “dopietë” Superioreje.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













