Dumfris “tremb” Interin: Premier Ligë? Do të isha i interesuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2025 | 12:46

Dumfris “tremb” Interin: Premier Ligë? Do të isha i interesuar

Nga grumbullimi i kombëtares së Holandës erdhën fjalët që ndezën jo pak tifozët dhe ambjentin e Interit. Denzel Dumfris, mbrojtësi i djathtë zikaltër, foli hapur për të ardhmen e tij gjatë konferencës për shtyp, duke lënë të kuptohet se Premier Ligë mund të jetë një destinacion i pëlqyer për të. “Premier Ligë është një kampionat fantastik, – deklaroi ai.

dumfris

– Për momentin jam në Serie A dhe ndihem mirë te Interi, por mendoj se edhe në Angli mund të performoja shumë mirë. Po, do të isha i interesuar.” Fjalë që nuk mund të kalojnë pa u vënë re, sidomos në një periudhë ku emri i tij është shpesh i lidhur me lëvizje në merkato. Dumfris, që prej kohësh shihet si një nga mbrojtësit më fizikë dhe ofensivë në Evropë, nuk fsheh se e tundon ideja e një përvoje në Britani.

Megjithatë, lojtari ka bërë edhe një analizë të thellë krahasuese mes kampionateve kryesore: “Premier Ligë njihet për intensitetin e saj, ndërsa Serie A është ndoshta më e forta në aspektin taktik. Janë dy qasje të ndryshme ndaj futbollit, por Liga e Kampionëve është gjithmonë vendi ku këto stile përplasen dhe ku çdo ndeshje është emocionuese.”

Sa i takon formës së tij, Dumfris pranoi se ka ende vend për përmirësim: “Shpresoj që rritja ime të mos ndalet kurrë. Çdo ditë mundohem të përmirësoj diçka, sidomos pozicionimin në fushë. Është një aspekt ku po punoj shumë.” Një tjetër temë ishte edhe raporti me trajnerin e tij aktual, Kristian Kivu. “Ai ka ide shumë të qarta, e di çfarë kërkon nga skuadra. Ne të dy kemi lidhje me shkollën holandeze të futbollit, dhe kjo na ndihmon të flasim në të njëjtën gjuhë futbollistike.”

Dumfris e mbylli me një mesazh të qartë për objektivat afatshkurtër: “Nuk jam ende në formën më të mirë në këtë fillim sezoni, por kur vjen një ndeshje duhet të japësh gjithçka. Nuk ka rëndësi kush shënon, e rëndësishme është të fitojmë dhe të arrijmë kualifikimin për Botërorin e ardhshëm.” Deklaratat e tij janë një sinjal i fortë për të ardhmen. Interi e vlerëson si një lojtar të rëndësishëm për projektin aktual, por dëshira e mbrojtësit për Premier Ligë mund të hapë skenarë të rinj. Për momentin, Dumfris garanton përkushtim total në Milano, por fjala e tij lë gjithmonë një derë hapur për të ardhmen.

PANORAMASPORT.AL