Dinamo vijon përgatitjet, test brenda familjes blu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2026 | 21:16

Dinamo vijon përgatitjet, test brenda familjes blu

Daja i jep ndihmë skuadrës së dytë, mungesa te kryeqytetasit Dinamo ka vijuar me përgatitjet në kryeqytet për pjesën e mbetur të kampionatit, ku e presin përballje të vështira. “Nëndetësja duhet të rikuperojë vendin e saj në zonën e “Final 4”, për të mos dështuar këtë sezon.

Ilir Daja

Nën urdhrat e trajnerit Daja, grupi ka pasur mungesa duke qenë se Qefalija dhe Guindo ende nuk janë gati për t’u bashkuar me skuadrën teksa ngarkesë maksimale nuk i është dhënë as Ledio Beqjas dhe Eridon Qardakut, që kanë munguar për disa javë në kampionat. Sakaq, skuadra blu do të vijojë me përgatitje intensive deri javën e ardhshme, kur do të presë Elbasanin në “Air Albania” ndërkohë që këtë fundjavë ekipi do të jetë pushim.

Fillimisht ishte menduar të zhvillohej ndonjë ndeshje miqësore, megjithatë fakti që skuadra ka pasur kalendar të ngjeshur dhe që shumë lojtarë nuk janë në 100% e tij, ka bërë që ky plan të mos vihet në zbatim.

Gjithashtu, Dinamo B ka ndeshje dhe disa nga lojtarët që nuk kanë marrë minuta me ekipin e parë, do të aktivizohen me skuadrën e dytë duke pasur mundësi në këtë mënyrë që të ketë edhe ngarkesën e munguar në kampionat. Pjesa tjetër e skuadrës, mund të zhvillojë një test miqësor brenda familjes, aty ku përballë skuadrës së parë, pritet të jetë Dinamo U19, test ky që e ndihmon trajnerin Daja për të provuar edhe skema të tjera apo edhe mund të shohë ndonjë nga lojtarët e akademisë që mund të ndihmojë në javët e ardhshme në kampionat.

PANORAMASPORT.AL