Skrapi, nëna e 2 fëmijët mbi tren

Apr 1, 2011 | 12:58

Grabitësit e skrapit janë kthyer në makth për drejtuesit e hekurudhës në linjën Hani i Hotit-Shkodër-Tiranë, e në mënyrë të veçantë për makinistët e trenave.Në qendër të sulmeve janë trenat e mallrave të ngarkuar me skrap të linjës nga Mali i Zi drejt Elbasanit, ku persona të papërgjegjshëm organizojnë skenarë nga më të ndryshmit për të grabitur vagonët me ngarkesa. Rasti i fundit është shënuar një ditë më parë, kur një nënë me dy fëmijët e saj adoleshentë ka ndërmarrë aktin më të fundit ndaj trenit të linjës Bajzë-Elbasan. Ngjarja ndodhi në afërsi të qytetit të Shkodrës, në lagjen “3 heronjtë”, kur treni i mallrave i ngarkuar me skrap me destinacion Elbasanin, është ndalur si pasojë e vendosjes së gurëve në trasenë e trenit. Makinisti kur ka parë trasenë e bllokuar, për të parandaluar ndonjë situatë të rrezikshme, ka marrë masa për të frenuar. Kaq kanë dashur personat që kishin vënë pengesat, për t’u vërsulur nëpër vagonë, me qëllim grabitjen e skrapit të cilin e shesin me kilogramë si hekur për të fituar para. Drejtuesi i trenit ka lajmëruar policinë e Shkodrës. Disa minuta më pas, blutë mbërritën në vendngjarje duke bërë edhe shoqërimin e tre personave, një gruaje dhe dy fëmijëve të saj adoleshentë. Për shkak të moshës ende të mitur, fëmijët janë lënë të lirë e më pas dhe nëna, pas paralajmërimit. Drejtori Rajonal i Hekurudhës në Shkodër, Tonin Trupa, u shpreh se grabitjet e skrapit në zonën e hekurudhës janë bërë shqetësuese. “Në vagonët me hekur hipin fëmijë të moshës 12-13 vjeç, të cilët hedhin skrapin në dy anët e rrugës. Më pas janë persona të rritur që bëjnë grumbullimin e skrapit”, u shpreh ai. Vetëm dy javë më parë është bërë shoqërimi i disa fëmijëve, pikërisht për këtë problem. “Vjedhjet që po bëhen në aksin e hekurudhës, po dëmtojnë shumë edhe imazhin tonë. Po krijohet një frymë jo shumë optimiste, ndaj duhet të merren të gjitha masat që të parandalohen”, u shpreh më tej Trupa. Sipas tij, personat që organizojnë këtë vjedhje qëllimisht aktivizojnë fëmijë, pasi ata nuk i dënon ligji. “Unë po bëj denoncim publik ndaj këtij fenomeni. Hekurudha shqiptare, edhe pse në një situatë të vështirë dhe tejet e amortizuar, po dëmtohet çdo ditë e më shumë”, tha kreu i Hekurudhës së Shkodrës. Një javë më parë në hekurudhën e Shkodrës janë bërë vjedhje të mëdha të një numri të konsiderueshëm aksesorësh të hekurudhës, duke rrezikuar kështu edhe jetën e udhëtarëve, të cilët qarkullojnë me tren për shkak të kostos së ulët.

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura