Siti do Shnajderin për Tevezin

Apr 25, 2011 | 11:48

Në Angli duket se janë vetëm dy, gjërat e sigurta për momentin: martesa e princit Uilliam me Keit Midëllton dhe largimi i Karlos Tevezit nga Mançester Siti. Në fakt, sipas mediave britanike, sulmuesi argjentinas do të largohet nga Premier Liga në fund të këtij sezoni për të udhëtuar drejt Milanos te skuadra e Interit. Pavarësisht se disa ditë më parë është përfolur për arritjen e marrëveshjes mes klubit zikaltër dhe menaxherit të lojtarit (7 milionë euro në sezon për 5 vite kontratë), tratativat me Sitin nuk kanë filluar ende. Por mediat britanike, në veçanti “Daily Mail”, ka publikuar ditën e djeshme një lajm, sipas të cilit mësohet se skuadra e Masimo Moratit është e gatshme që të ofrojë 45 milionë euro. Për sigurimin e kësaj shifre të konsiderueshme parash, presidenti i Interit mund të vendosë të heqë dorë nga Uesli Shnajder, destinacioni i të cilit, nëse largohet, do të jetë Premier Liga: Mançester Junajtid është klubi i parë i gatshëm të bëjë çmendurira për të. Por, po ditën e djeshme, ka ardhur një reagim nga skuadra e drejtuar nga Roberto Mançini në lidhje me largimin e Tevezit. Te Mançester Siti janë shprehur të gatshëm që të nisin negocimet për transferimin e “Apashit” tek Interi me një kusht: që zikaltrit t’u japin Shnajderin. Fantazisti holandez ka një kontratë me kampionët e botës, e cila skadon në vitin 2015. Përveç kësaj, ai e ka bërë të ditur shumë herë se nuk dëshiron të largohet nga Milano. Mirëpo rendimenti i tij i dobët këtë sezon, shumë larg formës së shkëlqyer që tregoi nën drejtimin e Murinjos, si dhe nevoja për paratë që mund të përfitojë nga largimi i futbollistit, mund ta detyrojnë presidentin e zikaltërve që të heqë dorë nga ylli holandez. Nga ana tjetër, është shumë e vërtetë që vetë Shnajder ka deklaruar se dëshiron ta provojë një eksperiencë në Premier Ligë dhe sheiku Mansur di se si ta bindë atë me shifra marramendëse për të veshur fanellën e Sitit.

© Panorama.al

Te lidhura