Dhjetëra mijëra protestues dolën dje në rrugët e Sirisë pas lutjes të së premtes, duke shënuar një nga tubimet më të mëdha të organizuar në këtë vend ndonjëherë. Por, në kryeqytetin Damask, forcat e sigurisë i kanë qëlluar ata me gaz lotsjellës, plumba dhe shkopinj gome, duke shënuar të paktën pesë viktima. Prej një muaji Siria është tronditur nga protestat antiqeveritare, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 200 njerëzve. Presidenti Bashar al Asad një ditë më parë lajmëroi për formimin e një kabineti të ri qeverisës dhe lirimin e disa qindra të arrestuarve nëpër demonstrata.











