“Asnjë mësues nuk do të largohet nga vendi i punës për arsye politike.Sindikata garanton se do të jetë në krah të tyre nëse ndodh një gjë e tillë”, këtë deklaratë bëri dje kreu i Konfederatës së Arsimit, Xhaferr Dobrusha. Ai u bëri apel arsimtarëve të mos jenë pjesë e fushatave. “Ligji për arsimin parauniversitar përcakton qartë se punonjësit e arsimit dhe nxënësit nuk lejohen të marrin pjesë nëpër mitingje e fushata. Ndaj, për vetë statusin që kanë, të gjithë mësuesit duhet ta zbatojnë këtë ligj”, tha Dobrusha. Deklaratat u bënë në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të krijimit të federatës së sindikatave të arsimit dhe të shkencës. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i arsimit, Myqerem Tafaj. Ai premtoi rritje pagash, më të lartë se vitin e kaluar. Po kështu, Tafaj theksoi se mësuesit tashmë kanë një status të konsoliduar. Po kështu edhe vlerësimi i tyre bëhet me një skemë efektive, duke u bazuar mbi meritat profesionale. “Mësuesit nuk lëvizin për fushata, statusi i mësuesit është i konsoliduar. Në korrik ndodh rritja e pagave dhe jam i sigurt se do të jetë më e madhe se ajo që ndodhi vjet”, tha Tafaj. Nga sa përcaktohet në ligjin për arsimin parauniversitar, në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake me nxënësit ose punonjësit e tyre. Po sipas ligjit, në shkolla ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve. “Ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit”, përcakton Ligji. Pak ditë më parë, 2700 mësues iu nënshtruan testimit për shtesën në pagë. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, është bërë grumbullimi i të gjitha testeve dhe korrigjuesit kanë nisur punën. Në këtë testim u përfshinë të gjithë ata arsimtarë që kishin mbushur deri në dhjetor të vitit të kaluar vjetërsinë në punë. Ata konkurruan për tre kategori, sipas të cilave do të jetë edhe shtesa në pagë, e cila varion nga 5-10%. Me miratimin e projektligjit për arsimin parauniversitar, mësuesit do të mbajnë tituj për çdo shkallë karriere. Projektligji parashikon që mësuesit do të jenë të ndarë në “mësues i kualifikuar”, “mësues specialist” dhe “mësues mjeshtër”. Projektligji i arsimit të lartë parashikon se numri minimal i krediteve që të aplikohet për një shkallë kualifikimi, si dhe procedurat e provimit të jashtëm për ta përfituar shkallën e kualifikimit, do të përcaktohen me udhëzim të Ministrisë së Arsimit. Sa i përket vlerësimit, ai do të bëhet me 5 shkallë. Ato do të jenë përkatësisht A, B, C, D, E, që i korrespondojnë vlerësimit me fjalë “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm”, “dobët”. “Shtesat do të jenë sipas viteve të punës. Në total, një mësuesi i duhen 100 pikë për të marrë vlerësimin maksimal. Përveç provimit, janë edhe dy komponentë të tjerë. Portofoli profesional i cili në total vlerësohet me 15 pikë, bonuset-15 pikë dhe testi me shkrim-70 pikë.
12 mije
mësues në të gjithë vendin pritet të përfitojnë rritje page në muajin korrik. Premtimi u bë dje nga ministri i Arsimit, Myqerm Tafaj
2700 mesues
dhanë pak ditë më parë provimin me shkrim për shtesën në pagë deri në 20% sipas kategorisë. Përgjigjet pritet të dalin pas të paktën 10 ditësh
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











