Sigla e PS, Kolegji rrëzon KQZ-në

Apr 19, 2011 | 11:28

Kolegji Zgjedhor ka pranuar dy kërkesat e Partisë Socialiste për të ndryshuar fletët e votimit të kandidatëve për kryetar bashkie në Tiranë dhe në Këshillin Bashkiak duke rrëzuar vendimet e KQZ-së.Gjatë mbledhjeve të zhvilluara njëra pas tjetrës ditën e djeshme, Gjykata Zgjedhore nuk i pranoi argumentet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e detyroi këtë të fundit të ndryshojë vendimet e votuara vetëm me katër votat e anëtarëve të djathtë.
Kolegji
Partia Socialiste kërkoi dje që në fletën e votimit për kryetar bashkie, pranë emrit të kandidatit të opozitës, Edi Rama, të vendoseshin germat e të gjitha partive të koalicionit të majtë, njësoj si në rastin e kandidatit të PD-së, Lulzim Basha. “KQZ ka hedhur poshtë shkronjat nistore për kandidatin e koalicionit ‘Aleanca për të ardhmen’. Me vendimin e fundit është shkelur akti i miratuar nga KQZ-ja, që mban numrin 113. Vendimi bie ndesh gjithashtu edhe me Kodin Zgjedhor. Stafi teknik, në variantin e tij të parë, kishte propozuar që poshtë emrit të ishin shenjat nistore të koalicionit”, tha avokati i PS-së në Kolegjin Zgjedhor, Eno Bushi. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e KQZ-së, Dëshira Pasko, u shpreh se në fletën e votimit u pasqyrua ajo çka ishte nënshkruar në marrëveshjen e partive të koalicionit të majtë. “Sipas marrëveshjes së Aleancës për Qytetarin, shkronjat janë PD, LSI… Ndërsa në rastin e Aleancës për të Ardhmen kishte si shkronjë nistore ‘AA’. Pretendimi i PS-së doli pasi ata panë marrëveshjen e PD-së”, tha Pasko. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin dhe pas rreth 60 minutash deklaroi pranimin e kërkesës së PS-së. Në të njëjtën kohë, PS-ja kërkoi që në listën e kandidatëve për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, koalicioni “Aleanca për të ardhmen” të vendoset para koalicionit “Aleanca për qytetarin”, duke e argumentuar këtë me renditjen alfabetike. Edhe kjo kërkesë e PS-së u pranua nga Kolegji, i cili i kërkoi KQZ-së të ndryshonte fletën e votimit.
Pakti në KQZ
Në mbledhjen e djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi të gjitha kushtet e vendosura nga PS-ja për masat e sigurisë gjatë procesit të prodhimit të fletëve të votimit. Në një vendim me 9 pika, të propozuar nga përfaqësuesit e PS-së, parashikohet që policia të ruajë ambientet ku do të prodhohen fletët e votimit dhe partitë mund ta mbikëqyrin nga afër të gjithë procesin përmes personave të autorizuar prej tyre. “Shoqëria duhet të mbikëqyrë dhe regjistrojë, nëpërmjet kamerave, ambientet e prodhimit dhe administrimit të fletëve të votimit. Regjistrimet të transmetohen edhe në KQZ. Shoqëria duhet të depozitojë në KQZ, çdo 48 orë, një raport për sasinë e fletëve të prodhuara. Dorëzimi i fletëve të votimit në magazinën e KQZ-së do të bëhet periodik dhe i shoqëruar me eskortë nga Policia e Shtetit”, thuhet në vendimin e miratuar me shtatë vota pro. Në të njëjtën kohë u pranua edhe një kusht tjetër i PS-së për elementet e sigurisë në fletën e votimit. Fleta e votimit do të ketë dy fjalë të koduara, një e propozuar nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani dhe një fjalë nga nënkryetarja, Dëshira Subashi. Me anë të kompjuterit ato do të shfaqen në formën e një pike dhe nëse ka kontestime, vërtetojnë që fleta e votimit është prodhuar nga shoqëria që ka fituar të drejtën të printojë materialet e votimit. Në orët e darkës është miratuar edhe fleta e votimit të kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe komunave, si dhe këshilltarët bashkiakë e komunalë në qarkun e Tiranës. Gjatë ditës së sotme do të miratohet vendimi për fletën e votimit në të gjitha qarqet e tjera. Kreu i KQZ-së, Ristani, tha në fillim të mbledhjes se procesi i prodhimit të fletëve për zgjedhjet e 8 majit është në afatet e tij të fundit.

Kushtet e PS

1. Policia do të ruajë ambientet ku do të prodhohen fletët e votimit.
2. Ndalohet hyrja dhe qëndrimi i punonjësve të policisë në këto ambiente.
3. Partitë mund ta mbikëqyrin nga afër procesin e prodhimit të fletëve.
4. Për hyrjet dhe daljet e personave në ambientet e brendshme mbahet procesverbal.
5. Shoqëria duhet të mbikëqyrë dhe regjistrojë nëpërmjet kamerave ambientet e prodhimit dhe administrimit të fletëve të votimit. Regjistrimet të transmetohen edhe në KQZ.
6. Shoqëria “Mediaprint” të deklarojë gjendjen e fletës para shtypshkrimit nëpërmjet deklaratës doganore që merret në doganë.
7. Shoqëria duhet të depozitojë në KQZ, çdo 48 orë, një raport për sasinë e fletëve të prodhuara.
8. Në përfundim të procesit të prodhimit, shoqëria duhet të asgjësojë të gjitha lastrat dhe filmat e përdorura vetëm 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, në prezencë të një punonjësi të autorizuar të KQZ-së dhe të përfaqësuesve të partive politike.
9. Dorëzimi i fletëve të votimit në magazinën e KQZ-së do të bëhet periodik dhe i shoqëruar me eskortë nga Policia e Shtetit.

PS merr anëtarin e katërt

Partia Socialiste do të ketë dy anëtarë në grupet katërshe të numërimit të votave në zgjedhjet e 8 majit. Vendimin e mori dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nuk mori parasysh një propozim të Partisë Demokratike që grupet e numërimit të qëndronin me tre anëtarë. Njazi Kosovrasti propozoi që meqë Kodi nuk e parashikon situatën kur partia e dytë e së majtës nuk plotëson kushtet për të propozuar një numërues (nuk ka dy deputetë), grupet e numërimit të rrinë me tre anëtarë. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, propozoi të ndiqet modeli i Trebinjës, ku anëtari i katërt i jepet PS-së.

Këshilli Bashkiak, PS ka numrin 13, PD e 27-ta

Vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor për korrigjimin e fletës së votimit për renditjen e koalicioneve në garën për Këshillin Bashkiak të Tiranës ka ndryshuar numrat e partive në variantin përfundimtar. Kështu, Partia Socialiste, e cila, sipas vendimit të KQZ-së ishte me numrin 33, tani do të ketë numrin 13. Ndërkohë, Partia Demokratike, e cila renditej pikërisht e 13-ta në listën për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, tani do të ketë numrin 27. Aleatja kryesore e Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, tani do të ketë numrin 18. Në mbledhjen e djeshme u ra dakord që pavarësisht vendimit të Kolegjit, renditja e partive brenda koalicioneve të mos ndryshojë. Në fletën përfundimtare të votimit për këtë njësi vendore janë regjistruar 36 parti, ku 14 janë në koalicionin e majtë, 20 në koalicionin e djathtë dhe LZHK e Partia Komuniste janë jashtë aleancave.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura