Pjesa më e madhe e mësuesve e kanë cilësuar mesatar testimin e djeshëm. Ata do ta marrin vesh vetëm pas dy javësh, nëse e kanë kaluar me sukses këtë provë.Me rezultatet pozitive do të përfitojnë shtesën në pagë, deri në 20% sipas kategorisë. Në të kundërt, nuk do ta përfitojnë deri vitin që vjen, kur kanë të drejtën të rifuten në provim. Janë mbi 2700 mësues që iu nënshtruan testit specifik në Tiranë. Ata u akomoduan në shkollat e mesme të kryeqytetit, nën masa të rrepta sigurie. Pas shpalljes së rezultateve sipas rregullores së MASH, ata do të kenë 5 ditë kohë për ankesat të cilat do t’i depozitojnë në drejtoritë arsimore. Do të jetë një komision i posaçëm që do t’i shqyrtojë dhe do të vendosë nëse ato janë me baza. Sa i përket vlerësimit, ai do të bëhet me 5 shkallë. Ato do të jenë përkatësisht A, B, C, D, E, që i korrespondojnë vlerësimit me fjalë “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm”, “dobët”. “Shtesat do të jenë sipas viteve të punës. Në total, një mësuesi i duhen 100 pikë për të marrë vlerësimin maksimal. Përveç provimit, janë edhe dy komponentë të tjerë. Portofoli profesional i cili në total vlerësohet me 15 pikë, bonuset-15 pikë dhe testi me shkrim-70 pikë. Specialistët e arsimit shpjegojnë se këtë vit kemi një ndryshim të lehtë të raportit të vlerësimit, në favor të portofolit dhe bonuseve nga 27% me 73% që ishte vitin e kaluar, në 30% me 70% që është parashikuar në vlerësimin e këtij viti.
Mësues të ndryshëm kryen testimin për kategori të ndryshme. Një mësues që ka punuar 5 vjet, përfiton rritje 5 për qind të pagës, të tjerët që kanë 20 vjet përfitojnë 20 për qind të pagës. Nëse nuk e marrin këtë provim, mësuesit mund ta përsërisin testin vitin e ardhshëm”, tha kryetarja e Komisionit të Vlerësimit, Dorina Rapti. Po kështu, sipas ekspertëve të MASH, rezultatet në provimin e djeshëm përveç shtesës në pagë, do të jenë tregues edhe për vendet e punës që mbajnë arsimtarët. “Nëse një mësues nuk arrin te kalojë me sukses testin, do të thotë se treguesit janë mjaft të ulët, ndaj do të jetë një minus i madh edhe për pozicionin e punës. Janë drejtuesit e drejtorive arsimore, të cilët vendosin më tej”, shprehen specialistët e Ministrisë së Arsimit.
Ligji i ri
Pas miratimit të projektligjit të ri për arsimin parauniversitar, mësuesit do të mbajnë tituj për çdo shkallë karriere. Projektligji parashikon që mësuesit do të jenë të ndarë në “mësues i kualifikuar”, “mësues specialist” dhe “mësues mjeshtër”. Projektligji i arsimit të lartë parashikon se numri minimal i krediteve që të aplikohet për një shkallë kualifikimi, si dhe procedurat e provimit të jashtëm për ta përfituar shkallën e kualifikimit, do të përcaktohen me udhëzim të Ministrisë së Arsimit.
Vjetersia
Sipas rregullores, procedurave të kualifikimit u nënshtrohen vetëm mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim: nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit. Për këtë të fundit duhen të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë. Mësuesit që kanë nga 20 e më shumë vjet, testohen për shkallën e parë të kualifikimit, por të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë. Vjetërsia në punë është kushti kryesor për t’u bërë pjesë e procesit të vlerësimit.
Bonuset, ja kush përfiton
Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, një pjesë e mësuesve do të përfitojnë bonuse. Bëhet fjalë për gjithë mësuesit që kanë titull (SHPU, Master mbi 60 ECTS, Doktoraturë), të cilët janë diplomuar para vitit 2010. Po kështu, pjesë e këtij grupi do të jenë të gjithë ata arsimtarë që kanë mbrojtur një gjuhë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ose në teste të njohura ndërkombëtarisht, apo që disponojnë një certifikatë për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











