TIRANE – Gjykata e Lartë nuk e shqyrtoi dje ankimin e prokurorisë mbi lirimin nga Gjykata e Apelit të turkut Abdulselam Turgut, të dyshuarit si “bos” i trafikut të heroinës, aktualisht i shpallur në kërkim. Mungesa e avokatit mbrojtës të turkut ka detyruar Kolegjin Penal me relator gjyqtarin Aleksandër Muskaj, të shtyjë seancën në një datë të re. Gjykata e Lartë duhet të shqyrtonte dje rekursin e prokurorisë mbi vendimin e 4 marsit 2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky vendim i Apelit ndryshoi në “arrest shtëpie”, masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, dhënë nga Gjykata e Tiranës në 20 shkurt të këtij viti. Lirimi i turkut u përcoll me bujë, për shkak se ai ishte i kërkuar nga drejtësia e pesë vendeve të Europës, po për akuza në lidhje me trafikun e drogës. Abdulselam Turgut u arrestua në 18 shkurt në Aeroportin e Rinasit, për llogari të drejtësisë gjermane. Në këtë shtet ai akuzohet për trafikimin e një sasie prej 1 ton lënde narkotike të llojit heroinë, në vitin 2009. Por pak ditë pas vendimit të Apelit, që e liroi atë nga qelia, u vu re se ai nuk ndodhej më në banesën, adresën e së cilës ia kishte dhënë gjykatës. Pak ditë më parë, pas mbërritjes së dosjes së plotë të Prokurorisë gjermane në lidhje me turkun Turgut, drejtësia shqiptare e shpalli atë “person në kërkim”. ar.ba











