Gjyqi i kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, mbi akuzat e prostitucionit me minorene dhe shfrytëzimit të postit për ta shpëtuar më pas këtë minorene nga burgu, ka nisur dhe është shtyrë në më pak se dhjetë minuta pas fillimit. Një mori e madhe mediash ishte e pranishme në gjykatë, ku do të përshkruheshin festat bunga-bunga të Berluskonit, duke e bërë “të papërshtatshme” zhvillimin e kësaj seance. Gjyqi u shty për më 31 maj. As Berluskoni, dhe as balerina marokene, Karima Al Mahoung (Ruby), nuk ishin të pranishëm gjatë seancës. Ruby është thirrur si dëshmitare nga akuza, gjithashtu edhe nga mbrojtja. Berluskoni ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me Ruby-n dhe të ketë pagur për këtë, aq më tepër kur ajo ka qenë minorene. Por, akuza këmbëngul se ka prova të forta që konfirmojnë se Ruby ka marrë pjesë në darkat e Berluskonit, të cilat janë pasuar nga marrëdhëniet seksuale, në kohën kur ajo ishte 17 vjeçe.











