
DURRES – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, mori dje garancinë e homologut serb Ivica Dacic, për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe që do të mundësojë heqjen e vizave mes dy vendeve, në mënyrë që qytetarët të mund të lëvizin vetëm me karta identiteti mes dy shteteve. Nishani dhe homologu i tij serb, morën pjesë dje në takimin e zhvilluar gjatë punimeve të forumit MARRI (Nisma rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët). Në fund të takimit, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic, tha se vlerëson nënshkrimin e marrëveshjes për riatdhesimin e personave ilegalë në Serbi. Ai e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit Shqipëri- Serbi. “Ne kemi hequr vizat për dy shtetet e vendeve tona dhe së shpejti do të nënshkruajmë marrëveshjen e ndërsjellë, ku shtetasit mund të lëvizin vetëm me karta identiteti. Prioritet i bashkëpunimit tonë mbetet lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, të armëve, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, emigrantëve të paligjshëm si dhe lufta kundër falsifikimit të dokumenteve”, tha Daçiç. Ai ka nënvizuar se në shumë vende europiane ka ankesa për rritje të azil kërkuesve, ndaj qëllimi është lufta kundër falsifikimit të dokumenteve, pasi liberalizimi i vizave nuk duhet të kompromentohet. Ministri i Brendshëm shqiptar, Bujar Nishani, siguroi homologet e tij rajonal se mbeten të angazhuar për të respektuar rregullat e vendosura në kuadrin e lëvizjes së lirë. “Ne mbështesim kufijtë e hapur, por të sigurt. Për këtë, Ministria e Brendshme ofron kontributin e saj për të bashkëpunuar me vendet partnere, por nga ana tjetër ata që shkelin rregullat, do të përballen me ligjin”, garantoi ministri Nishani. Ai theksoi se siguria mbetet interesi numër një për policinë shqiptare. Nishani dje formalizoi edhe kalimin e presidencës së MARRI-t nga Shqipëria, tek Serbia. Me këtë rast, Nishani nënshkroi gjithashtu marrëveshjen e riatdhesimit të personave të paautorizuar që rrinë në Serbi. o.u











