Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë është vënë sërish në shënjestër të atentateve me lëndë eksplozive.Ngjarja që ndodhi paraditen e së dielës shkaktoi panik tek punëtorët, numri i të cilëve ishte i kufizuar për shkak të ditës zyrtare të pushimit. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati të lënduar, veç dëmeve materiale.
“Në Fabrikën e Çimentos në fshatin Zallë, persona ende të paidentifikuar kanë shkatërruar me eksploziv elektromotorin e elevatorit që ndodhet në repartin e paketimit të kësaj fabrike”, bëri të ditur Policia e Durrësit, e cila ka në juridiksionin e saj zonën e Fushë-Krujës. Mësohet se lidhur me këtë ngjarje është krijuar një grup hetimor me përbërje edhe nga ekspertë të Njësisë Antieksploziv. Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe Policia e Krujës, e cila konstatoi se lënda plasëse ishte vendosur tek elektromotori i elevatorit të kësaj fabrike, në pjesën e sipërme të tij. Nga shpërthimi është shkatërruar plotësisht elektromotori që shërbente për dërgimin e çimentos bruto në transportierë e më pas në depot e magazinimit, nga ku bëhet ndarja nëpër thasë. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit nuk ka pasur punëtorë të lënduar. Por ata tashmë ndodhen në panik, për shkak edhe të precedentëve të përsëritur të shpërthimeve e sulmeve me armë ndaj kësaj fabrike. Policia ka shoqëruar në ambientet e saj mbi 15 persona, disa prej të cilëve edhe punëtorë të fabrikës. Kjo pasi ende nuk është sqaruar se si autori ka arritur të futet në ambientet e brendshme dhe të vendosë lëndën plasëse, e cila dyshohet se është aktivizuar gjatë ditës me telekomandë.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, por policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, nuk ka përcaktuar ende sasinë e lëndës plasëse. Ajo pason disa ngjarje të tjera të rënda që kanë pasur objektiv të njëjtën fabrikë. Një muaj më parë, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatike zyrat e administratës të Fabrikës së Çimentos. Tre javë më parë iu vendos tritol linjës së tensionit të larë që furnizon me energji Fabrikën e Çimentos. Ndërsa një javë më parë, linjës hekurudhore që të çon tek kjo fabrikë i është vendosur tritol tek Ura e Gjolës, tre km larg qytetit të Fushë- Krujës.
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI











