Shpërthen predha, vritet nënoficeri

Apr 29, 2011 | 8:57
Helikopteri duke transportuar të plagosurit drejt Spitalit Ushtarak

Shpërthen predha në poligonin e asgjësimit të municioneve në Bigaz të Skraparit, vdes ushtaraku, ndërsa plagosen rëndë edhe tre punëtorë.Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:50, në periferi të qytetit të Çorovodës, gjatë kryerjes së operacionit të asgjësimit të municioneve me plasje nga Qendra e Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivëve të FA. Agim Mekollari, me gradën nënoficer, gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa të plagosurit janë punëtorët Jetmir Dedja nga Tirana, Drini Tiko dhe Ilir Kurti nga Çorovoda. Grupi hetimor është fokusuar në dokumentacionet aktuale të vitit të prodhimit të predhave. Dyshohet se predha që shkaktoi vdekjen e 53-vjeçarit dhe plagosjen e tre të tjerëve mund të ketë qenë e goditur dhe e dëmtuar. Me kalimin e kohës ajo mund të jetë amortizuar derisa u provokua dhe shpërthimi i saj në momentin që viktima e mori në dorë për të bërë demontimin. Pas ngjarjes së rëndë, Ministria e Mbrojtjes ka ndaluar deri në një urdhër të dytë procesin e asgjësimit të municioneve në poligonet e asgjësimit në shkallë vendi.
Reparti ku ndodhi shpërthimi është kthyer në vendgrumbullim municionesh të kalibrave të ndryshëm. Prej dy vitesh në të kryhet demontimi i predhave. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se predha me kalibër 120 mm është marrë nga Mekollari për ta vendosur në pajisjen përkatëse nga ku më pas kryhej edhe demontimi i saj. Por predha i ka shpërthyer atij në dorë. Rrezja e veprimit ka qenë tepër e madhe, duke plagosur rëndë edhe tre punëtorë të tjerë, që janë ndodhur vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes. “Si pasojë e shpërthimit të një predhe ka humbur jetën shtetasi Agim Mekollari, me detyrën rreshter, nga Tirana. Ndërsa tre punëtorë të tjerë, Jetmir Dedja, nga Tirana, Drini Tiko dhe Ilir Kurti nga Çorovoda, që ndodheshin pranë tij, u plagosën rëndë”, bëri të ditur policia. Mësohet se në repartin ku ndodhi shpërthimi punojnë 6 punëtorë gjithsej. Dy punëtorët që fatmirësisht i shpëtuan shpërthimit janë vënë menjëherë në ndihmë të viktimave. Ata sinjalizuan njëherazi policinë dhe spitalin për t’u ardhur në ndihmë, por sipas burimeve të policisë, oficeri të cilit i shpërtheu predha e kalibrit të rëndë ka gjetur vdekjen në vend duke pësuar mjaft dëmtime në trup. Pamja ka shokuar dy punëtorët e tjerë, të cilët u kanë dhënë ndihmën e parë tre kolegëve të tjerë të dëmtuar rëndë e të gjakosur. Ata u dërguan menjëherë në spitalin e Çorovodës, e më pas u njoftua një helikopter nga Tirana, i cili i transportoi për në Spitalin Ushtarak. Burime nga spitali i Çorovodës bënë të ditur se gjendja e tre të plagosurve nuk vinte në rrezik jetën e tyre, por nevojitej ndihmë më e specializuar për plagët e marra.
Pas hetimeve paraprake rezultoi se në këtë repart nuk punohej në kushte shumë të favorshme teknike, krahasuar me repartin e demontimit të Kombinatit ushtarak të Poliçanit. Burimet bëjnë të ditur se në fillim ishte hapur arka me predha të kalibrit të madh dhe në momentin që 53-vjeçari Mekollari ka marrë njërën prej tyre në dorë, ajo i ka shpërthyer. Pas ngjarjes së rëndë është ngritur një grup hetimor në përbërje të të cilit është dhe Prokuroria Ushtarake. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se janë duke hetuar nëse predha kishte qenë e amortizuar dhe e goditur më parë, apo kanë të bëjnë me një gabim njerëzor. Mësohet se në vendngjarje mbërritën dhe ekspertë nga Ministria e Mbrojtjes për të parë nga afër situatën e krijuar. Sipas njoftimit të Ministrisë, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak, ndërsa njëri prej tyre, Drini Tiko, pasi mori ndihmën e parë, e ka lënë spitalin.

Viktima

Rreshter Agim Mekollari, nga Tirana, ka lindur në vitin 1958. Ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura prej vitit 1982 deri në vitin 1989. Gjithashtu, ka shërbyer gjatë kësaj periudhe si oficer i specialitetit xhenio. Prej vitit 2009, Mekollari, është riaktivizuar në shërbimin aktiv si nënoficer. Nënoficeri ishte angazhuar me detyrë në poligonin e demontimit në Skrapar, ku gjeti vdekjen mesditën e djeshme.

POLIÇANI

Ngjarja e djeshme në Skrapar pason atë të një dite më parë në Poliçan. Një 34-vjeçare, punonjëse e demontimit të municioneve në Uzinën mekanike të qytetit u aksidentua rëndë. M. Behari po tentonte të demontonte një predhë në makinerinë përkatëse, por ajo e ka marrë rrëmbyer duke i dëmtuar rëndë krahun. Në të njëjtën uzinë, më 6 janar të vitit 2009, nga shpërthimi i një predhe brenda ambienteve të uzinës, humbi jetën 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu dhe u plagosën dy punëtorë të tjerë

Demontimi në repart pas ngjarjes së Gërdecit

Reparti ushtarak i Bigazit ka qenë një nga më të rëndësishmit në rrethin e Skraparit dhe zonës së Jugut. Fillimisht ky repart ka qenë i destinuar për një armatim të rëndë, në të cilin kanë shërbyer një grup oficerësh dhe një numër i madh ushtarësh. Është ndërtuar rreth viteve ’60 dhe deri në vitin 1991 ruante ato struktura ushtarake. Pas grumbullimit të ushtrisë shqiptare në kazerma dhe reduktimit të numrit në ushtri, ky repart mbeti me një numër të vogël ushtarësh dhe oficerësh. Disa vite më pas reparti u kthye në një depo grumbullimi të municioneve të kalibrave të ndryshëm. Pas ngjarjes së Gërdecit, një numër i madh makinash ushtarake kryenin ritualin e përditshëm duke e furnizuar atë më municion në shkallë vendi. Demontimi filloi të kryhej në Kombinatin ushtarak të Poliçanit, në repartin e Bigazit dhe në vendin e quajtur “Qafa e Kumbullave”. Rreth dy vjet më parë në këtë repart nisi demontimi me një numër të vogël punëtorësh.

 

SKRAPAR/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura