Shkumbini dhe Bylisi, “komplot” kundër Besës

Apr 22, 2011 | 9:56

Shkumbini ka dërguar dje në institucionin e futbollit shqiptar një kërkesë zyrtare për ta zhvilluar ndeshjen e radhës ndaj Besës në stadiumin e Ballshit. Lajmin e ka konfirmuar për “Panorama Sport” vetë shefi i klubit peqinas, Astrit Isaji. Megjithatë, sipas rregullores së FSHF-së, skuadra që e ka të dënuar fushën duhet të zgjedhë një stadium 100 kilometra larg qytetit. Në këto kushte, meqenëse Peqini dhe Ballshi nuk janë më shumë se 70 kilometra, FSHF-ja pritet ta hedhë poshtë këtë kërkesë. Gjithsesi, peqinasit momentalisht kanë zgjedhur fushën e Ballshit, pasi kjo  u intereson për shumë arsye. Pa paragjykuar këtë ide, duket se është një “komplot” ndaj kavajasve, pasi dihet se marrëdhëniet mes klubit të Bylisit dhe atij të Besës janë të acaruara. Burime jozyrtare kanë konfirmuar se alternativa më e përshtatshme për zhvillimin e kësaj ndeshjeje është stadiumi i Korçës. Shefi i klubit peqinas, Astrit Isaji, deklaron se vendimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës për dënimin me 4 ndeshje të fushës ka qenë mjaft i ekzagjeruar. Tashmë te Shkumbini janë në pritje të Komisionit të Apelit. “Vendimi i Komisionit ka qenë disi i ekzagjeruar dhe mjaft penalizues për ne. Klubi ynë, pa dyshim, që distancohet dhe e dënon veprimin e tifozit të papërgjegjshëm që hodhi atë shishe plastike, por nuk mendonim se kjo do të penalizonte tifozërinë e një qyteti të tërë, e aq më tepër për 4 ndeshje. Gjithsesi, ne tashmë e kemi apeluar këtë vendim dhe jemi në pritje të Komisionit të Apelit,”- thotë fillimisht Isaji, i cili më pas flet edhe në lidhje me përballjen ndaj Besës. Ai e konsideron si një tjetër finale që duhet fituar me çdo kusht, pavarësisht faktit se do të luhet në fushë asnjanëse. “Aktualisht, jemi akoma në pritje të vendimit se ku do ta zhvillojmë ndeshjen e radhës përballë Besës. Ne si klub i kemi bërë kërkesë federatës që këtë ndeshje ta zhvillojmë në stadiumin e Bylisit, pasi mendojmë se kushtet atje janë më se të përshtatshme. Jemi akoma në pritje të një përgjigjjeje nga FSHF-ja. Kjo sfidë për ne është shumë e rëndësishme, madje jetike do ta quaja. Në ndeshjen ndaj Bylisit ne kishim disa mungesa të rëndësishme në formacion dhe kjo bëri që ne të linim pushim disa prej titullarëve të tjerë, prandaj dhe aktivizuam futbollistët e rinj. Përballjen me Besën ne e konsiderojmë si një finale e cila duhet fituar me çdo kusht, pasi akoma nuk e kemi siguruar mbijetesën. Ne bëjmë llogaritë tona dhe e përsëris, se ndaj Besës do të luajmë vetëm për fitore, kudo që të vendoset për t’u luajtur ky takim,”- ka përfunduar Isaji. Kësisoj, përtej optimizmit që vjen nga drejtuesit e klubit, duhet thënë se dënimi i fushës ka tronditur kampin peqinas.

© Panorama.al

Te lidhura