SHKODER – Shkrumbohet nga zjarri një banesë dykatëshe në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes në vendin e quajtur “Arra e Madhe”. Flakët e zjarrit pushtuan shtëpinë e Prelë Palit rreth orës 09.30. Meqenëse në momentin e rënies së zjarrit në banesë nuk ka pasur asnjë person, kanë qenë komshinjtë, të cilët duke parë shtëpinë teksa po digjej, kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikësit dhe Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Sipas pohimeve të dëshmitarëve okularë në momentet e rënies së zjarrit mësohet se flakët fillimisht kanë rënë në katin e dytë të banesës, por nisur edhe nga fakti që banesa e djegur ishte qindravjeçare, kjo ka bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi në të gjithë ndërtesën. Kështu që dëmet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. “As ne nuk e morëm vesh se kur ra zjarri, vetëm kur pamë flaken të dilte nga pullazi i shtëpisë, – shprehet Mark Jaku, një nga fqinjët e banesës së djegur. – Tentuam të futeshim brenda për të parë nëse ka ndonjë njeri apo për të bërë të mundur fikjen e zjarrit, por përhapja me shpejtësi e zjarrit si dhe shpërthimet e fuqishme, që ndoshta i kanë shkaktuar bombulat e gazit që kanë pasur në banesë, na detyruan që të largohemi nga banesa dhe të presim sa të vijnë zjarrfikësit. Fati i mirë i joni që zjarrfikësit erdhën shpejt dhe e shuan zjarrin, pasi në të kundërt zjarri do të kishte bërë namin duke i marrë të gjitha shtëpitë e lagjes”. Ndërkohë që zjarrfikësit po punonin për shuarjen e zjarrit, një personi, i cili po ecte me biçikleta pranë shtëpisë që po digjej, pasi rruga është e ngushtë, i ra mbi kokë një tjegull i cila u vërtit nga shtëpia si rezultat i forcës dhe i temperaturës së lartë të flakëve të zjarrit. Fatmirësisht ky person nuk ka pësuar dëmtime të rënda dhe nuk ka probleme për jetën. Dyshohet se rrjeti i amortizuar i energjisë të ketë shkaktuar rënien e zjarrit. r.d











