
Shkrumbohen nga flakët katër autobusë të Parkut të Udhëtarëve në Shkodër. Fatmirësisht, afërsia e repartit të zjarrfikësve me ambientin e parkut dhe ndërhyrja e tyre në kohë, ka bërë që flakët e zjarrit të shuhen menjëherë, duke evituar kështu djegien e të gjithë autobusëve, të cilët ndodheshin në oborrin e parkut.Gjithashtu, ndërhyrja ka evituar dhe një tragjedi të mundshme, pasi pranë ndodhej dhe pika e furnizimit me karburant e mjeteve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.00 të së martës, pikërisht në vendin ku bëhen riparimet e autobusëve të Parkut të Udhëtarëve. Fillimisht zjarri ka rënë një njërin prej autobusëve, pasi një punonjës ka qenë duke punuar me saldatriçe. Më pas flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë përfshirë edhe tre autobusë të tjerë, të parkuar ngjitur me të parin. Vetëm një mur ndan repartin e zjarrfikësve me parkun e udhëtarëve, çka ka bërë që ndërhyrja e tyre të jetë e shpejtë. Falë kësaj shpejtësie me të cilën vepruan zjarrfikësit dhe punonjësit e Parkut të Udhëtarëve, flakët u shuan brenda pak minutave. Drejtues të Parkut të Udhëtarëve sqarojnë se autobusët e djegur në fakt prej disa kohësh janë jashtë pune, për shkak të amortizimit të tejskajshëm të tyre dhe ishin përgatitur për t’u nisur në drejtim të Elbasanit për t’u përdorur si skrap. Grupi i ekspertëve ka sqaruar se ka nisur puna për të verifikuar shkakun e rënies së zjarrit. Deri tani, nga të dhënat paraprake dhe nga deklarimet e personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes, shkak për rënien e tij ka qenë një shkëndijë elektrike, e cila është provokuar gjatë punës që po kryente një punonjës i këtij parku në autobusin e parë. Parku i Udhëtarëve në Shkodër është shoqëri aksionere, ku bashkëpronare është dhe Bashkia Shkodër, me 51% të aksioneve. Parku i Udhëtarëve kryen shërbime transport urban në linjën e qytetit si dhe në linja të ndryshme interurbane. Por njëkohësisht ky Park kryen aktivitete turistike me destinacione të ndryshme për interes të aksionerëve. Bashkia Shkodër subvencionon një shumë prej rreth 15 milionë lekësh në vit, shumë kjo e cila shkon për subvencionimin e çmimit të biletës si dhe rimburson luhatjet e ndryshme të ndryshimit të çmimit të karburantit. Ky park ka në funksion të tij një numër prej rreth 15 autobusësh, të kapaciteteve të ndryshme.











