
SHKODER – Megjithëse qyteti i Shkodrës është ndër qytetet e para përsa i përket furnizimit me cilësi dhe me presion të ujit të pijshëm, niveli i pagesave e rendit ndër qytetet më problematike. Një fakt të tillë e pohon vetë drejtoresha në detyrë e ndërmarrjes së ujësjellësit në qytetin e Shkodrës, Sabahet Vidhaj. Ajo thekson se, drejtoria e ujësjellësit shpreh shqetësim në përqindjen e pagesave të faturave të ujit, të cilat janë e kundërta e furnizimit me ujë. “Duhet të ketë një sensibilizim më të madh të popullatës në lidhje me pagesat e faturave të ujit të pijshëm, me qëllim që Shkodra të mos jetë në vendin e fundit për nivelin e arkëtimeve. Qyteti i Shkodrës ka një nivel pagese që shkon 51-60 % të numrit të përgjithshëm të familjeve që janë në kontratë me ndërmarrjen e ujësjellësit, duke qenë i pakuptimtë ky nivel arkëtimesh në raport me shërbimet që ne i ofrojmë qytetarëve”, thekson drejtoresha e ujësjellësit. Sipas saj, ndonëse qytetarët shprehin aprovimin e tyre në lidhje me ndërgjegjësimin e pagesës së ujit të pijshëm, nevojiten reagime konkrete. “Kjo pjesë e popullatës prej 40 % që nuk reagon ndaj këtij detyrimi duke mos paguar faturat e ujit të pijshëm na detyron që të bëjmë punë shtesë të panevojshme, për ndërprerjen e ujit të pijshëm”. Nga ana tjetër, kjo ndërmarrje ka marrë një sërë masash organizative tani që stina e nxehtë po afron, me qëllim ofrimin në kushte sa më optimale të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët. “Qyteti i Shkodrës në raport me qytete e tjetra zë një nga vendet e para përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm si në cilësi ashtu edhe në presione duke plotësuar kërkesën e qytetarëve për furnizim me ujë. Ne kemi bërë një vlerësim të situatës teknike të stacionit të pompave të ujit të pijshëm, mirëmbajtje, riparime dhe gatishmëri për shtimin në furnizimin me ujë të pijshëm tani në prag të stinës së nxehtë”, pohon Vidhaj. Ndër masat që do të merren janë: kontrolli i linjave të furnizimit me ujë të pijshëm, ngritja e task-forcës nga ana e kësaj ndërmarrje me qëllim shkëputjen e lidhjeve të paligjshme, riparimi i dëmeve të konstatuara me qëllim mënjanimin e humbjeve në rrjet. Gjithashtu Vidhaj shprehet dhe për faktin e sensibilizimit të qytetarëve për likuidimin e faturave të ujit të pijshëm. r.d











