Shkodër, dënohen 3 anëtarët e FRESSH

Apr 8, 2011 | 11:10
Protesta e një viti më parë në Shkodër

SHKODER/ Dënohen me nga një milion lekë gjobë tre të rinj të FRESSH-it të Shkodrës, mes tyre dhe kryetari i tyre, Ramir Hadëri. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Shkodrës, pasi i cilësoi fajtorë për protestën e zhvilluar një vit më parë në hyrje të qytetit. Ata akuzohen se më 5 prill të vitit 2010 organizuan bllokimin e rrugës nacionale me anë të një manifestimi të paligjshëm. Protesta e të rinjve socialistë kishte lidhje me largimin nga puna të prindërve të kreut të FRESSH-it, njëri i punësuar pranë Entit Kombëtar të Banesave në Shkodër, ndërsa tjetri pranë ndërmarrjes së trajtimit të studentëve në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Një grup anëtarësh të kësaj organizate, në mënyrë të organizuar dolën dhe, në shenjë proteste duke i cilësuar largimet politike, bllokuan për disa minuta rrugën nacionale Shkodër-Tiranë, pranë urës së Bahçallëkut. Policia e Shkodrës ndërhyri për të normalizuar qarkullimin e mjeteve, pasi protesta shkaktoi kaos, por u përplasën me të rinjtë që kërkonin vazhdimin e saj. Menjëherë pas protestës, policia shoqëroi në komisariat tre prej të rinjve socialistë, të cilët u ndoqën në gjendje të lirë. Vendimi i gjykatës u shoqërua me reagim të ashpër të selisë rozë në Shkodër. “Gjykata e Shkodrës është kapur nga politika. Është e turpshme që një institucion i pavarur të japë vendime politike dhe të shkelë ligjet”, deklaroi kryetarja aktuale e PS-së, Keti Brazhdari, e cila edhe vetë ishte pjesë e protestës së vjetshme. Sipas saj, të rinjtë protestuan për të kërkuar drejtësi që të gjithë të jenë të barabartë. “Kjo qeveri dhe ky pushtet, në vend që të mendojë për t’u gjetur vende pune këtyre të rinjve, i dënon me gjoba të papërballueshme për ta, duke i kërcënuar kështu që të rrinë urtë”, theksoi ajo, duke i bërë thirrje gjykatës të rishikojë vendimin.           r.d

© Panorama.al

Te lidhura