
SHKODER – Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, zhvillon vizitën e dytë në Shkodër. Ndërsa e para kishte lidhje me situatën e rënduar të përmbytjeve, udhëtimi i djeshëm drejt Shkodrës ka qenë një vizitë njohjeje me situatën që po kalon qyteti. Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, ambasadori amerikan është takuar me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, me prefektin Maxhid Cungu, si dhe me kryetaren e Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari. Me këtë të fundit takimi është bërë në Fabrikën e Konfeksioneve që drejtohet prej saj, në zonën industriale të qytetit. Interesimit të mediave në lidhje me vizitën e tij në Shkodër, diplomati amerikan iu përgjigj shkurt, se bëhet fjalë për një vizitë njohjeje me qytetin. “Kjo është vizita e dytë e imja në Shkodër. E para ishte gjatë përmbytjeve. Në takimin që pata me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, zotin Lorenc Luka, u informova rreth punës së bërë dhe projekteve për zhvillimin e zonës dhe mund të them se është bërë një punë e shkëlqyer”, pohoi Arvizu. I pyetur për zgjedhjet lokale, nëse kemi të bëjmë me zgjedhje administrative apo janë referendum popullor, ai ka pohuar: “Unë mendoj se çdo zgjedhje ka ndikim në popull, pasi ata që kandidojnë, qytetarët do t’i pyesin se çfarë do të bëni ju për ne. Prandaj ata duhet me të vërtetë të bëjnë për ta”. Gjatë të gjithë takimeve të bëra me drejtuesit lokalë, ambasadori amerikan ka marrë falënderimet e tyre në lidhje me mbështetjen që po i japin SHBA-të vendit tonë. r.d











