Amerikanët e kanë thelluar përfshirjen e tyre në konfliktin e Libisë, pas njoftimit se avionë të telekomanduar “Predator” do të përdoreshin për fushatën e bombardimit ndaj forcave të Gedafit. Senatori amerikan, Xhon MekKein, ka vizituar Benghazin dje, duke i quajtur “heronj” rebelët që luftonin për opozitën. MekKein është republikani më i vjetër në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura në Senat dhe mbështetës i fortë i ndërhyrjes në Libi. Njoftimi se SHBA-ja do të ripërfshihet në luftë me avionë të telekomanduar “Predator”, paraqet një lehtësim për rebelët në Misrata, ku luftimet vazhdojnë të ashpra dhe duket se do të ndikojnë në përshpejtimin e përfundimit të luftës në pjesën lindore të Libisë. Qeveria libiane tha se përdorimi i tyre do të ndikonte në vrasjen e më shumë civilëve dhe ishte i paligjshëm. Sipas qeverisë së Gedafit, shumë civilë janë vrarë qëkur nisën bombardimet e koalicionit ndërkombëtar mbi tokën e tyre, një proces, që ata e kanë identifikuar si “kryqëzata” e re. Por prova për të mbështetur këto deklarata, nuk janë ofruar. Dërgimi i avionëve të telekomanduar “Predator” në Libi përkon me dërgimin e këshilltarëve ushtarakë nga Britania, Italia dhe Franca për të stërvitur rebelët libianë kundër forcave të Gedafit. Vendimi pason edhe deklaratën e Barak Obamës për të ndihmuar me 25 milionë dollarë pajisje për rebelët. Admirali Majk Mullen, kryetar i stafit të përbashkët amerikan, tha se ndërhyrja e NATO-s kishte ulur aftësinë ushtarake të Gedafit me një të tretën. “Kemi eliminuar rreth 30 apo 40 për qind të forcave të tij në tokë”, u shpreh ai.











