Shalke shkatërron Interin në “San Siro”

Apr 6, 2011 | 12:32

Një leksion i vërtetë futbolli. Shalke turpëron Interin në shtëpi, duke bërë një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Kampioneve. Pesë gola dhe një lojë fantastike, sidomos në pjesën e dytë, shpërfytyruan Kampionët e Evropës në fuqi. Edhe pse shënuan të parët, që në minutën e parë me anë të Stankoviç, zikaltërit nuk mundën që të rezistonin duke treguar probleme të mëdha në mbrojtje. Matip barazoi për gjermanët, ndërsa Milito kaloi sërish në avantazh Interin. Por pas këtij momenti, ka vetëm Shalke. Në pjesën e dytë, sikur të mos mjaftonte disavantazhi, Çivu doli me karton të kuq duke vulosur natën negative të italianëve. Pas humbjes fatale në derbi me Milanin, Inter merr një tjetër “shuplakë” fatale në Chmapions. Në ndeshjen tjetër, Reali mundi pa vështirësi Totenhami, kjo edhe për shkak të daljes me karton të kuq të Krauç që në minutën e 15 të pjesës së parë.

Champions

Mbrëmë
Inter-Shalke    2-5
Stankoviç 1′, Milito 34’/
Matip 17′, Edu 40′, 75′, Raul 53′, Ranokia 57′ (autg)
R.Madrid-Totenham    4-0
Adebajor 4′, 57′, Di Maria 72′, Ronaldo 87′
Sonte
Barcelona-Shaktar    20:45
Çelsi-Mançester    20:45

Barcelona

Guardiola i trembet Shahtjorit, duke e përkufizuar si një skuadër agresive. “Nuk e di, por kurrë më parë, sa jam në drejtimin e Barcelonës, nuk kam ndjerë një atmosferë kaq të frikshme në pritje të një ndeshjeje. Është e vështirë të kuptoj të gjithë këtë qetësi që ekziston. Historia ka treguar që Shahtjori na ka vënë në vështirësi, madje edhe na ka mundur. Rreziku ekziston, ndaj nuk më pëlqen kjo atmosferë që na rrethon”, nënvizon trajneri i Barcelonës para ndeshjes me ukrainasit.

Shahtjori

Trajneri Luçesku sfidon Barcelonën, por në të njëjtën kohë thur elozhe për ta: “Do të jem i nderuar që përballë do të kem trajnerin më të mirë në botë, atë i cili ka ndërtuar perfeksionin që ofron futbolli në skuadrën e tij. Në fushë do të gjejmë një skuadër me yje, e cila luan prej shumë vitesh bashkë, dhe jo më kot është edhe ekipi më i mirë në botë. Gjithsesi, ne luajmë në sulm, ndaj kundër tyre do ta sakrifikojmë mënyrën tonë të të luajturit”, tha rumuni.

© Panorama.al

Te lidhura