Në vendin tonë, rreth 96% e popullatës mbulohet me vaksinim. Vitet e fundit janë shtuar një sërë vaksinash të reja, sidomos për të porsalindurit. Kjo ka bërë sipas krerëve të shëndetësisë, që në vendin tonë në 20 vitet e fundit të zhduket ose të ulet ndjeshëm sëmundshmëria për fruthin, poliomielitin apo difterinë, të cilat kanë qenë shumë të përhapura. Gjithçka u bë me dije dje nga krerët e shëndetësisë, në takimin e zhvilluar me rastin e hapjes së javës evropiane të vaksinimit, të zhvilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. “Qëllimi është që të ofrojmë shërbime bazë cilësore, si vaksinimi i të gjithëve dhe të mos kemi pabarazi në përhapjen e sëmundjeve infektive”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai shtoi se vendet europiane i kushtojnë një rëndësi të veçantë vaksinimit, pra mbulesat vaksinale janë të larta. Ndërsa kreu i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Rroshi, theksoi se vështirësitë për një proces normal të vaksinimit ekzistojnë në identifikimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë dhe kjo për shkak të spostimit të familjeve të tyre nga njëri vend në tjetrin. Zgjidhja për këtë problem do të ishte krijimi i një regjistri elektronik për të porsalindurit në të gjithë vendin. “Grupet vulnerabile, që ne i përmendim shpesh, janë grupet e romëve, egjiptianë të cilët për shumë arsye, për shkak të ndryshimit të adresave të banimit, nuk mund të kapen nga sistemi shëndetësor. Do bëjmë një program kombëtar të imunizimit, i cili është on line dhe ka të bëjë me regjistrimin e të gjithë fëmijëve që lindin”, u shpreh Roshi.











