Sarandë, kërkojnë divorcin për të marrë pensionin grek

Apr 13, 2011 | 13:18

Për të përfituar pensionin grek, kër-kojnë divorcin, pavarësisht moshës.Kjo është zgjidhja që kërkojnë të japin të moshuar mbi 65 vjeç, banorë të minoritetit në rajonin e Sarandës, por edhe nga qyteti, me qëllimin e vetëm për të përfituar pensionin nga Greqia. Muajin e fundit është konstatuar ky fakt, që kur u është kërkuar gjithë minoritarëve grekë të përtërijnë dokumentacionet me të cilat do të kërkojnë të përfitojnë pensionin. Por, që në momentin që është mësuar se pensionin nga Greqia do ta marrë vetëm njeri prej bashkëshortëve, kanë nisur lëvizjet dhe kërkesa për divorce. Janë kryesisht mosha mbi 65 vjeç dhe veçanërisht gra ato që kanë bërë kërkesat për divorc në Gjykatën e Sarandës. Burime pranë zyrës së aplikimit të pasaportave biometrike, të cilët nuk duan të identifikohen, thanë se ka të moshuar, mbi 65 vjeç, që kërkojnë pasaportë biometrike dhe kartë identiteti me mbiemër të ndryshuar, pra jo me atë që kanë pasur për vite e vite, të bashkëshortit. “Ja një rast, – na thanë në zyrën e pasaportave biometrike. – A.M., në moshën 72-vjeçare erdhi në zyrat tona dhe kërkoi të bënte pasaportën biometrike dhe, si pa gjë të keq, na u drejtua duke thënë: Ma bëj pasaportën me mbiemër tjetër. Dua të mbaj mbiemrin e vajzërisë. Pyetjes sonë se pse e donte këtë, na u përgjigj: Me këtë mbiemër të ndryshuar do të përfitoj pensionin grek”. Duke mos gjetur terren tek ne, në zyrën e pasaportave, pasi kjo nuk mund të ndodhë, atëherë këta shtetas i drejtohen gjykatës. Edhe nga gjykata konfirmohen rastet e kërkesave për divorc nga grupmosha mbi 60 vjeç. Dhe siç mësohet, mbi masat e fundit të marra nga shteti grek, kjo ndodh pas vendimit që është marrë nga autoritetet helene, që në një familje homogjene, burrë dhe grua, vetëm njëri prej bashkëshortëve do të mund të përfitojë pension nga Greqia. Kjo i detyron këta të moshuar, që për shumë vite me radhë e kanë përfituar këtë pension, nga 300 euro në muaj, të gjejnë një zgjidhje origjinale: duke u divorcuar, natyrisht formalisht dhe për rrjedhojë përfitojnë të dy pensionin grek. Deri tani janë rreth 15 kërkesa për divorc me moshë mbi 65 vjeç, në të cilat përmendet si motiv mungesa e dëshirës për të vazhduar bashkëjetesën. Pritet që gjatë seancave të tjera të vendoset për fatin e çifteve. Ndërkohë në total në Gjykatën e Sarandës janë 57 kërkesa për divorc, që nga fillimi i vitit.

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura