Saimir Kodra planifikon ceremoni dasme më 2 shtator të këtij viti

Mar 1, 2014 | 15:22

Më 11 shkurt, ai festoi 40- vjetorin e lindjes së tij, tashmë si moderator i programit “Ç’a thu”, së bashku me Gentian Zenelaj. Për sa i përket jetës private, Saimir Kodra ka një djalë 5-vjeçar, të cilin e ka quajtur Aleksandër nga bashkëjetesa 7-vjeçare me ish-gazetaren Ada Kasneci. Këto ditë Saimiri ishte i ftuar së bashku me Adën dhe Aleksandrin në programin “Kontrata” të Sonila Meços, ku rrëfeu detaje nga jeta e tij jashtë televizionit, si familjar. Në fund të këtij emisioni, Saimiri ka nënshkruar kontratën e organizimit të një ceremonie martese me Adën, më 2 shtator të këtij viti, që do të përkojë me ditëlindjen e djalit të tyre. Partnerja e tij, duke folur për bashkëjetesën me Saimirin, pohoi se që prej pesë vitesh kur u bë nënë, ajo la profesionin e gazetares dhe iu dedikua tërësisht djalit. “Të jetosh me Saimirin është shumë qejf, pasi gjithë kohën jemi me valixhet gati, duke udhëtuar vazhdimisht”, u shpreh ajo. Saimiri dhe Ada njihen që prej nëntë vitesh. Moderatori i njohur i gazetarisë investigative ka pohuar se fillimisht kanë qenë shokë, pastaj lindi ndjenja mes tyre. Në rrëfimet e tij mediatike për këtë lidhje, Saimiri ka pohuar se i ka bashkuar më shumë në fillimet e tyre fakti që janë frankofonë të dy dhe po ashtu karrieristë. Ada ka përfunduar studimet për Gjuhë-Letërsi dhe është pesë vite më e re se Saimiri. Arsyen pse ata nuk kanë organizuar një ceremoni martese para se të bëheshin prindër, Samiri e ka shpjeguar se ai e kishte ëndërr që vellon nuses së tij t’ia mbante djali i tyre. Ndërsa Ada pohoi nga ana e saj se gjërat mes tyre ndodhën aq shpejt, sa nuk patën as kohë për të bërë dasmë.

© Panorama.al

Te lidhura