Gjykata e Lartë ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), në vijim të procedurës së nisur më 26 qershor 2026 për përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj.
Në garë janë shtatë kandidatë: Arbena Ahmeti dhe Sandër Simoni nga Gjykata e Lartë, Igerta Hysi nga GJKKO, Fatri Islamaj nga Gjykata e Apelit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe Matilda Llangozi, Brunilda Kadi dhe Manjola Xhaxho nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.
Ndërkohë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka caktuar datën 25 shtator 2026, ora 10:00, për zhvillimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të KLGJ-së.
NJOFTIMI I PLOTE
Në vijim të procedurës së shpallur nga Gjykata e Lartë më datë 26.06.2026, për zgjedhjen e 1 (një) gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë, 1 (një) gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të apelit dhe 1 (një) gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe pas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore, bazuar në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Gjykata e Lartë shpall zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, si më poshtë:
▪️ Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë
▪️ Sandër Simoni – Gjykata e Lartë
▪️ Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
▪️ Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪️ Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪️ Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪️ Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Njëkohësisht, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpall datën e zhvillimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, 25 shtator 2026, ora 10.00.
© Panorama.al












