Deputetja tashmë e pavarur, Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja” tregoi se si vendosi që të largohet nga Grupi Parlamentar i PS-së.
Në një intervistë për News24, deputetja nga Shkodra tha se ka pasur një sërë ngjarjesh që kanë bërë të mendojë se nuk i përket këtij grupimi politik dhe se e ka menduar edhe më herër largimin, por ishte protesta masive e qytetarëve që e nxiti atë ta merrte këtë vendim pikërisht tani.
Koçeku deklaroi se në mbledhjet e zgjeruara te Grupit Parlamentar ka adresuar problematikat e zonës që ajo përfaqëson, por që nuk u morën parasysh.
“Ka marrë kohën time që ta mendoj dhe si do ta realizojë dhe kur do të ishte momenti i duhur. Ka pasur momente të herëpashershme por ka qenë protesta ajo që më ka bindur për kohën dhe e ka përforcuar edhe më tej se duhet ta ndërmarr këtë hap. Protesta më ka motivuar për këtë vendim dhe për shumë gjëra të tjerë, se diçka shumë frymëzuese dhe aq më tepër që vjen nga brezi jem. Ka pasur një sërë ngjarjesh që më kanë shtyrë me menduar se nuk i përkas këtij grupi politik.
Nga ana ime, ka pasur reagimesh dhe kritikash që i kam ngritur si çështje dhe problematika të zonës që përfaqësoj por jo vetëm. Kam folur për çështjen e Drinit si urgjencë kombëtare jo vetëm estetike por dhe problematikë ekonomike. Iu kam bërë thirrje ministrive përkatëse dhe kam tentuar t’i jap zgjidhje. Nuk është trajtuar me seriozitetin e nevojshëm si çështje.
E konsideroj mjedisin si diçka tejet të rëndësishme. Mjedisi është shumë më tepër sesa thjesht ajo që të sheh syri dhe duhet të ketë angazhim të rritur publik. Kam diskutuar në mbledhjet e grupit të PS për problematikën e hipotekave dhe dokumentacionit të tokave. Vij vetë nga zonat malore të Shkodrës dhe e kam jetu vetë se sa e vështirë është të zhvillohesh kur nuk e zotëron atë çka me të përket me të drejtë natyrore dhe trashëgimie.“, tha ajo.
Ajo tha se nuk ka dashur kurrë që të bëhet politikane, por shtoi se synoi që të bëhej zë i fortë për zonën që ajo përfaqëson.
“Një zonë që i ka munguar vëmendja dhe qasja publike më motivoi që të merrja këtë “risk”, dhe këtë angazhim publik. “
© Panorama.al












