“Po punoj për një platformë politike”- Deputetja Marjana Koçeku flet për të ardhmen: Protesta më bindi të merrja vendimin, të dëgjohen kërkesat e sovranit!

Jul 21, 2026 | 15:15

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, aktualisht e pavarur, rrëfeu në studion e News24 shkaqet e vendimit që mori javë më parë duke u larguar nga grupi i mazhorancës, projektet e saj politike për të ardhmen, si dhe komentoi zhvillimet e fundit e veçanërisht ato që lidhen me protestën popullore, e cila sot hyn në ditën e 52-të të saj.

marjana koceku

Ligjvënësja e qarkut Shkodër tha se aktualisht po punon për një platformë politike si deputete e pavarur, që lidhet pikërisht me disa pika kryesore, ku bën pjesë edhe mjedisi e zonat e mbrojtura.

“Si deputete e pavarur po punoj për një platformë politike. Ku do ketë disa pika kryesore, e theksoj si deputete e pavarur, pika kryesore që kanë në thelb mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, por kryesorja raporti që ne kemi me mjedisin dhe natyrën. Po shohim shumë ndodhi që janë edhe jashtë dorës së njeriut, si katastrofat natyrore, por edhe ligjet që janë në mbështetje të natyrës dhe favor të saj dhe një grupi të vogël interesash dhe njerëzish. Ndaj është e rëndësishme të flasim e punojmë për mirëqenien natyrore dhe mjedisin”, u shpreh Koçeku.

Më tej ajo theksoi se të jesh shqiptar i mirë nuk do të thotë të mbash vetëm simbole kombëtare apo flamur, por ta tregosh me vepra edhe ndaj natyrës dhe mjedisit, që brezat t’i trashëgojnë këto të mira e të mos i tjetërsojnë.

“Mendoj se çdo lum i ndotur është një humbje kombëtare, çdo mal i djegur është një humbje kombëtare dhe më tepër se kaq çdo tokë e shitur është një humbje shumë e madhe kombëtare. Të jesh shqiptar i mirë nuk do të thotë të mbash një flamur, por t’i dalësh zot asaj që është trashëguar ndër breza. Që edhe brezat që vijnë pas nesh t’i gëzojnë këto pa i tjetërsuar dhe mohuar këto të drejta”, tha ajo.

E pyetur për motivin se përse u largua nga grupi i PS, Koçeku rrëfeu se ishte protesta qytetare ajo që e bindi të ndryshonte kursin politik, teksa tha se pushtetarët duhet të dëgjojnë zërin dhe kërkesat e popullit.

“Protesta më bindi të merrja vendimin. Protesta më ka motivuar shumë. Të dëgjohen kërkesat e protestuesve. Pushtetarët duhet t’i tremben sovranit. Kam dashur të jem një zë i fortë për zonën time”, vijoi ajo.

Koçeku pranoi se rruga që ka bërë e do bëjë ka vështirësitë e saj, por shtoi se familja ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për të dhe rrugëtimin e nisur.

“Pa dyshim që më kanë dhënë mbështetje që në hapat e parë, edhe pse unë nga natyra jam rebele. Familja ka qenë mbështetëse dhe inkurajuese në rrugëtimin tim, veçanërisht nëna, edhe kur kam shkuar me studime dhe më pas”, tha ligjvënësja e pavarur.

Deputetja ndau edhe një mesazh në fund:

“Duhet të punojmë sa më shumë edhe si qytetarë dhe si politikë, kudo ku ka shqiptar. Ne nuk na ka munguar kurrë kapaciteti njerëzor për të jetuar në mirëqenie në vendin tonë. Të kemi një Shqipëri ku jetojnë shqiptarët, të mos kemi shqiptarë që jetojnë si turistë. Shqiptarët duhet të gjejnë kushtet e duhura që të kthehen në vend”.

© Panorama.al

Te lidhura