Largimi nga PS, Koçeku zbulon bisedën me Ramën: Shumë socialistë më mbështesin, por do t’i mbaj anonim! Lënie mandati? Betimin e kam bërë mbi Kushtetutë, jo mbi Statutin e PS

Jul 21, 2026 | 15:05

Deputetja Marjana Koçeku zbuloi gjatë intervistës për Neës24 bisedën e fundit që ka zhvilluar me kryeministrin Edi Rama pas vendimit për t’u larguar nga Grupi Parlamentar i PS-së dhe për të dalë si deputete e pavarur.

Mrjana Koceku protesta

Ajo theksoi se vendimin e njoftoi përmes rrjeteve sociale dhe se askush, përfshirë familja e saj, nuk ishte në dijeni. E pyetur për komunikimin me kryeministrin, ajo tha se kanë biseduar ditë pas vendimit, dhe se ai kishte tentuar që ta binte të ndryshonte mendim, por shtoi se vendimi ishte përfundimtar.

Çdo kush, përfshi edhe familjen time, e kanë marrë vesh përmes rrjeteve sociale. Ka qenë vendim i imi ka qenë që këtë vendim ta komunikoj përmes rrjeteve sociale me qëllim që të mos lë hapësirë influence për këtë vendim. Kam pasur shumë telefonata prej krerëve të PS, mesazhe po ashtu, edhe nga kryeministri.

I jam përgjigjur kryeministrit disa ditë më pas duke i sqaruar edhe më shumë se përse erdhi ky vendimet dhe zhgënjimet e mia dhe duke ia bërë të qartë se ky është vendim përfundimtar. Ka pasur tentativat e veta përgjatë komunikimit, por ky ka qenë edhe qëndrimi im.”, tha ajo.

Më tej, ajo deklaroi se ka marrë mbështetje nga shumë anëtarë socialistë, por kur u pyet për emra, ajo theksoi se preferon t’i mbajë anonimë.

“Këto kohë kam parë pakënaqësi të anëtarëve të PS, deputetëve që nuk i kanë shpalosur gjatë mbledhjeve por ka qenë pakënaqësi lehtësisht e lexuar. Shpresoj që të gjejnë kurajon pavarësisht përkatësisë politike dhe të qëndrojnë për ato vlera dhe besime që ato kanë dhe të zgjedhin të kryejnë funksionin për të cilin të gjithë jemi aty, për të përfaqësuar interesin e shqiptarëve dhe për të punuar për vendin tonë. Përderisa më kanë mbështetur privatisht, dua të respektoj privatësinë e tyre. Janë disa, nuk janë pak. “, tha ajo.

Një koment bëri edhe për kërcënimet që mori.

“Unë e kam bërë publik reagimin tim. Nuk doja të ndalesha te kjo pjesë pasi lufta ime është politike dhe do të mbetet deri në fund si e tillë. Nuk di të them nëse kishte përmbajtje politike por jam mjaftuar me atë mesazh dhe besoj se ka qenë mesazh i fortë dhe mbi baza të forta.”

Po ashtu ajo adresoi edhe kritikat se duhet të lërë mandatin për shkak se ishte pjesë e listës së hapur kur u bë deputete e Partisë Socialiste.

“Kam qenë pjesë e listës së mbyllur në Shkodër. E gjeta këtë sistem pavarësisht kritikave që mund të kem ndaj këtij sistemi. Betimin për të hyrë në parlament e kam bërë mbi kushtetutë dhe jo mbi statutin e PS. Kushtetuta më njeh të gjitha të drejtat që ta ushtroj këtë detyrë deri në fund. Nuk braktiset një premtim që iu kam dhënë qytetarëve”.

© Panorama.al

Te lidhura