
Protesta e paralajmëruar nga tifozët vlonjatë përpara FSHF-së, nuk është zhvilluar. Ky anulim ka sjellë pakënaqësi në radhët e sportdashësve të Flamurtarit, pasi ishin përgatitur deri në detaje për këtë tubim. Mirëpo duket se gjithçka ka ndodhur për një kauzë tepër humane, pasi ultrasit do të nderonin një tifoz që u nda nga jeta vetëm ditën e djeshme. Mirëpo, organizuesit e kësaj proteste lajmërojnë se ajo është të shtyrë për ditën e hënë. Që do të thotë, në fillim të javës mjera sportdashës të ekipit të Vlorës do të marrin rrugën për në kryeqytet për të protestuar përpara federatës. I gjithë ky mllef i vlonjatëve vjen fill pas dëmtimit të portierit Moçka në Laç, si edhe faktit që kërkohet marrja e tripikëve në tavolinë. Mungesa e dhënies së vendimit nga Disiplina ka acaruar edhe më shumë fansat, ndaj nuk kanë ndërmend të dorëzohen deri në arritjen e qëllimit. Tifozët, ndonëse janë mërzitur në fillim për shtyrjen e protestës, pasi kanë mësuar arsyen e pezullimit të saj, kanë kuptuar gjithçka. Këtë herë mendohet se asgjë nuk do t’i ndalë kuqezinjtë për të mos tubuar kundër FSHS-së.
Gjika, para inspektorëve
Ditën e djeshme një grup inspektorësh nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë shkuar në Vlorë për t’u takuar me krerët e klubit. Gjatë këtij takimi, presidenti Shpëtim Gjika është marrë në pyetje për ngjarjet e ndeshjes në Laç. Ndërsa ky i fundit u ka konfirmuar edhe njëherë tjetër raportin dhënë zyrtarëve të Federatës që ditën e ndeshjes. Dje janë pyetur edhe dy mjekët e skuadrës, Dario Zrniç dhe Ardi Lluka.











