Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e cilësoi tryezën e partive parlamentare si shou të radhës, nga e cila nuk pret asnjë rezultat. Sipas tij, maxhorancës i mungon vullneti politik. Këto deklarata Ruçi i bëri në emisionin “Top Story” në Top Channel, me gazetarin Sokol Balla.Për Ruçin, më 8 maj qytetarët do të bëhen barrikadë nëse tentohet të manipulohen zgjedhjet.
Cili është pozicioni dhe pritshmëritë tuaja nga tryeza e partive parlamentare për zgjedhjet e 8 majit?
Ne shkuam në atë tryezë dhe dëgjuam propozimet e zotit Patozi. Unë jam skeptik për arsye të mungesës së vullnetit politik. S’ka asgjë të paarritshme nga ato që kemi propozuar ne. Ato arrihen vetëm me vullnet politik dhe brenda një seance plenare. Për mua realisht nuk ka nevojë për ndryshime në Kod. Por, meqenëse maxhoranca këmbëngul se Kodi nuk lejon bërjen e transparencës së zgjedhjeve, edhe pse Kodi aktual e ka zgjidhur këtë çështje, por nuk zbatohet nga maxhoranca. Nëse KQZ-ja do ta kishte zbatuar kërkesën e dy anëtarëve të saj, nuk do të ishim këtu në këtë pikë. Kodi e thotë qartë së nëse një komisioner kërkon të hapet kutia, ajo hapet automatikisht. Ky ishte produkt i atij kompromisi dhe garancia e pakicës për të kontrolluar zgjedhjet. Pra problemi i parë është transparenca e zgjedhjeve që i ka munguar prej dy vjetësh politikës. Maxhoranca duhet të japë garancitë për transparencën e zgjedhjeve të ardhshme. Garancia e dytë është se sot e kësaj dite na mungon transparenca për shkak të listave zgjedhore. Kemi fakte se nëpunës shteti, në Gardën e Republikës, ushtarakë etj., në shtëpitë e tyre mund të ketë disa kurora të regjistruara në njësitë vendore. Kemi verifikuar si adresë shtëpie garazhe makinash. Ne kërkojmë të kemi akses të verifikojmë listat zgjedhore dhe se kush i bën dhe i përgatit listat. Argumenti se opozita ka shumicat e bashkive nuk është i vërtetë, sepse listat zgjedhore bëhen në Ministrinë e Brendshme dhe askush nuk e di nëse lista që verifikon pushteti vendor është e njëjtë me atë që do të dalë ditën e zgjedhjeve. Argumenti i tretë është identifikimi i kartave të identitetit. Në 2009-n kanë votuar me karta identiteti të falsifikuara në emër të emigrantëve që janë jashtë shtetit. A ka gjë më të thjeshtë për një vend demokratik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme? Problemi i katërt që kemi parashtruar është besueshmëria e KQZ-së. Janë 18 akte për zgjedhjet e 8 majit që sipas Kodit duhet të jenë me shumicë të cilësuar. Vendimet janë marrë në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me Kodin. Këto akte duhet të kishin dy firma, atë të kryetarit dhe të nënkryetarit. Ne kërkojmë revokimin e këtyre vendimeve, të firmosen nga nënkryetarja dhe të kemi vendime të ligjshme për të gjithë procesin zgjedhor. Por ky institucion nuk ka një rregullore se si duhet të funksionojë.
Si e vlerësoni tryezën e partive?
Kjo tryezë është shou i radhës, adeti i radhës, siç e tha dikush, demagogjia e radhës. Kjo tryezë është e vonuar, por edhe pse e tillë, ne kërkuam ta çonim më tej këtë përpjekje. Edhe kolegu Gjiknuri, në bisedimet e mëtejshme nuk lëvizi asnjë nga 16 pikat që propozoi zoti Patozi. Por ata nuk pranojnë asnjë nga kërkesat tona.
Pse nuk i drejtoheni Prokurorisë, por kërkoni të hidhni poshtë vendimet e Kolegjit Zgjedhor?
Prandaj kërkoj transparencën e zgjedhjeve, sepse aty kam faktet e manipulimit. Ku t’i gjeja faktet?
Po tani i keni gjetur?
Sigurisht që i kemi gjetur, pikërisht në bodrumet e Sali Berishës. Një ditë vajti Erion Braçe në KQZ për detyrat e tij si deputet dhe aty zuri me presh në dorë në tavolinën e tij e duke bërë një detyrë të jashtëligjshme. Po fotokopjonte të gjitha materialet zgjedhore që ne kërkojmë prej dy vjetësh, për të manipuluar zgjedhjet e radhës.
S’ka ndodhur akoma?
A duhet të presim të ndodhë? Unë në Parlamentin shqiptar kam deklaruar se, nëse nuk vërtetohen këto pretendime që kemi, unë jap dorëheqjen nga politika. Kërkova të verifikohet nëse personi që unë kisha te kartat e falsifikuara që kisha në dispozicion, nuk kishte votuar disa herë në Korçë, Pogradec dhe Tiranë. Hetimin parlamentar kam të drejtë ta bëj si ligjvënës dhe këtë ma jep Kodi dhe Kushtetuta.
Është humbur deri sot shumë kohë. Do të hyjë në zgjedhje PS me këtë infrastrukturë, Kod, KQZ, TVSH etj?
Nëse keni ndjekur zotin Lajçak, dje zotin Fyle, po dhe të dërguarit e Departamentit Amerikan të Shtetit, mesazhi i tyre ishte: Shqipëria të përmirësojë klimën politike dhe të bëjë detyrat e shtëpisë, dhe ne kemi marrë “mot a mot” të 12 pikat që thotë opinioni i KE dhe shprehnim dakordësinë tonë, që fillonte me zgjidhjen e krizës, ndryshimet për të krijuar besueshmëri politike në zgjedhje, transparencën e zgjedhjeve etj. Ne hoqëm dorë nga kutitë e votimit dhe kërkuam zbatimin pikë për pikë të Rezolutës së PE-së për hetim të materialeve zgjedhore përmes një komisioni hetimor.
Do të hyjë PS në zgjedhje në këtë situatë të përgjithshme?
Nuk ka tërheqje të forcës sonë politike nga beteja elektorale, e kemi deklaruar që Berisha do të na ketë përballë në çdo qendër votimi, në çdo ZAZ me veprime politike dhe institucionale. Ky do të jetë hapi i parë. Do të ketë hapa të tjerë dhe fakte të tjera shumë të çuditshme. Prandaj unë i them PD dhe Sali Berishës personalisht, të dërguarit të tij të posaçëm në KQZ: Mos luaj me zjarrin! Është shansi i fundit dhe meqenëse është malësor, do t’i thosha: Ruhu e mos u turpëro në pleqëri! Është shansi i fundit! Se s’ka kohë për ta korrigjuar më. Ne do të jemi përballë. Ne nuk do të lejojmë të kryhet fasada e radhës, manipulimi i radhës. Do të bëjmë dhe ne korrigjesat tona se dhe ne kemi përgjegjësi, që nga komisioneri fundor e deri tek ai qendror. Barrikada përballë manipulimit të Sali Berishës do të jetë qytetari dhe votuesi shqiptar, derisa të numërohet vota e fundit.











