
Pas shëtitores “Taulantia” si dhe sheshit “Liria”, një tjetër investim publik i Bashkisë së Durrësit është bllokuar.Kësaj radhe ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës Shqiptare, e cila ka bllokuar punimet për fazën e parë të ndërtimit të rrugës së re “Mars 91”, e cila është rruga paralel me murin e portit. Shkak këtë radhë është bërë pronësia, e cila është argumentuar nga ana e Drejtorisë së Hekurudhës si motivi që pengon rijetëzimin e linjës hekurudhore në vendin ku do të zbatohet projekti i paraqitur nga Bashkia. Sipas drejtorit të hekurudhës shqiptare, Zamir Ramadani, Bashkia më parë duhet të bëjë shpronësimin e pronës së hekurudhës që prek rruga dhe më pas të zbatohet projekti. “Ne kemi denoncuar në Prokurorinë e rrethit shkeljen flagrante që ka bërë bashkia, në lidhje me moszbatimin e ligjit për sa i përket tjetërsimit të pronës. Duke filluar punimet e rrugës paralele me murin e portit, në këtë rast bashkia ka shkelur rëndë ligjin. Bashkia nuk mund të niste punimet pa shpronësuar të zotët e truallit, që në këtë rast është hekurudha”, u shpreh Ramadani. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga ana e Bashkisë së Durrësit, me anë të nënkryetarit të saj, Ardian Çela. Bllokimi i këtyre punimeve është cilësuar si një gjest politik nga ana e nënkryetarit të Bashkisë. “Pushteti qendror vazhdon të bllokojë punimet në të gjitha investimet publike që ka nisur Bashkia, përfshirë këtu edhe rrugën paralele me portin. Ky është një bllokim politik dhe pushteti qendror i ndërmerr këto veprime bllokuese, nisur nga interesa partiake, duke mos pyetur për interesat e qytetarëve të Durrësit. Ramadani e di shumë mirë që kjo rrugë do të fillonte. Duke qenë kryetar i Këshillit Bashkiak, ka qenë i pari që ka firmosur vendimin e këtij Këshilli për fillimin e punimeve të kësaj rruge, në projekt-buxhetin e vitit 2010”, pohon Çela. Ai shton se, për sa i përket shpronësimit, Bashkia nuk ka se çfarë t’i shpronësojë hekurudhës, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk ka truall, në të cilin kalon rruga. “Pronë e hekurudhës janë vetëm shinat, të cilat kanë më shumë se 20 vjet që nuk janë më në përdorim. I kemi dërguar një kërkesë hipotekës në lidhje me këtë problem dhe përgjigjja që na erdhi, ishte se hekurudha nuk posedon asnjë pëllëmbë tokë. Këto punime po bëhen në dobi të qytetarëve. Ne duhet të bëjmë punë për qytetarët që t’i kthejmë këto rrugë në shërbim të interesave të qytetit dhe qytetarëve, ndërsa pala që është në pushtet i bllokon për interesa partiake”, tha Çela.
Punimet e mbetura pezull në Durrës
Sheshi “Liria”, punimet në shëtitoren “Taulantia” e tashmë dhe projekti i rrugës së re të portit, “Mars ’91”, janë pezulluar pas përplasjeve të vazhdueshme mes bashkisë dhe institucioneve të tjera. Në rastet e para ka ndërhyrë Agjencia e Mjedisit, si dhe Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit, ndërsa në rastin e fundit, faktor është bërë pronësia e pretenduar nga Hekurudha Shqiptare.
Investimi u nis një muaj më parë
Ndonëse investimi për rehabilitimin e rrugës së re “Mars 91” e cila është rruga paralel me murin e portit, me një vlerë investimi prej 57 milionë lekësh, u përurua vetëm një muaj më parë, punimet janë ndërprerë, për shkak të një vendimi të nxjerrë nga organet e drejtësisë, pas denoncimit të kryer nga Drejtoria e Hekurudhës Shqiptare. Ndërtimi i kësaj rruge është rrëzuar herë pas here edhe nga anëtarët e djathtë në KRRT-në e qytetit për shkak të problemit me pronësinë, por edhe të konfliktit mes portit dhe bashkisë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











