Gjykata Kushtetuese rikthen për shkelje proceduriale në Gjykatën e Lartë, dosjen e Ylli Kambos, ish-bosit të kompanisë piramidale “Kambo Marshall”, i dënuar me dhjetë vjet burg për “vjedhje të pasurisë me anë të mashtrimit”.Vendimi është bërë publik në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Sipas kësaj Gjykate, Prokuroria e Përgjithshme si palë përfaqësuese e akuzës, nuk ka marrë pjesë në këtë gjykim, ndonëse është njoftuar. Gjithçka duket se është një fitore morale, për shkak se i dënuari me dhjetë vjet burg, Ylli Kambo, i shpallur fajtor për aktivitet piramidal me subjektin e tij, është liruar që në datën 27 prill 2010, pasi përfundoi vuajtjen e dënimit të dhënë ndaj tij. Megjithatë, ai ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese, kundër vendimeve që kishin dhënë gjykatat në kohën kur Kambo ndodhej ende duke vuajtur dënimin. Kështu, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ylli Kambo, me vendimin nr. 394, datë 20.05.2001, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është dënuar në mungesë me 10 vjet burgim, për veprën penale të “vjedhjes së pasurisë me anë të mashtrimit”. Ai ka shfaqur pretendimin se nuk ka qenë i pranishëm në seancën përfundimtare dhe se nuk është njoftuar për vendimin. Në fakt, ai u dënua në mungesë, për shkak se gjykimi ndaj tij u bë në një kohë kur Kambo ishte larguar jashtë Shqipërisë. Për këtë shkak, pasi u ekstradua në Shqipëri, më 23 prill 2003, ai i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për rivendosjen në afat të ankimit ndaj vendimit të mësipërm. Me këtë kërkesë, ai ka shprehur dëshirën që gjykata ta rikthente edhe njëherë procesin dhe gjyqi të bëhej me praninë e tij pas arrestimit dhe ekstradimit në Shqipëri. Sipas Kushtetueses, kërkesa është refuzuar dhe vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë dhe nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë, Ylli Kambo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila me vendimin nr. 6, datë 22.01.2010 ka vendosur moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, për shkak se kërkesa e kërkuesit ishte haptazi e pabazuar. Më pas, ndërsa ndodhej në burg, Ylli Kambo i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për “Shuarje dënimi”, bazuar në nenin 480/2 të Kodit të Procedurës Penale. Në 13 shkurt 2008, me vendimin nr. 145, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur rrëzimin e kërkesës të kërkuesit Ylli Kambo me objekt “Shuarje dënimi”, duke e cilësuar kërkesën e tij të pabazuar në ligj dhe në prova. Gjykata e Apelit Tiranë, e vënë në lëvizje me ankimin e kërkuesit, me vendimin nr. 438, datë 11.07.2008, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të mësipërm të Gjykatës së Shkallës së Parë. Ndërkohë, kundër këtij vendimi, kërkuesi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë. Në datën 05.03.2010, me vendimin nr. 212, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi, me arsyetimin se nuk është paraqitur në formën e kërkuar nga ligji, pasi mungon nënshkrimi i mbrojtësit. Më pas, Ylli Kambo i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese, ku kërkon shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me arsyetimin se kërkuesit i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor. Kushtetuesja pohon se Ylli Kambo ka pretenduar se atij i është mohuar e drejta e aksesit në Gjykatën e Lartë, për shkak se Kolegji Penal i kësaj Gjykate nuk ka respektuar nenin 435/2 të KPP-së, i cili parashikon se kur i pandehuri nuk ka mbrojtës, kryetari i Kolegjit cakton një avokat kryesisht. Gjykata Kushtetuese shprehet në vendimin e saj se neni 31/ç i Kushtetutës parashikon se gjatë procesit penal, kushdo ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij,të komunikojë lirisht dhe privatisht me të, si dhe t’i sigurohet mbrojtja falas, kur nuk ka mjete të mjaftueshme. Nisur nga ky fakt, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që padia e Ylli Kambos të rikthehet edhe njëherë për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë, duke marrë parasysh kësaj here parashikimet e Kushtetutës.
Kambo mashtroi 455 qytetarë me 800 mijë dollarë
TIRANE – Ylli Kambo, ish-president i shoqërisë “Kambo Marshall”, akuzohet se e ka kryer aktivitetin e tij të mashtrimit ndaj qytetarëve në vitet 1998-2001. Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të “vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit”. Pas apelimit të këtij vendimi, Gjykata e Apelit vendosi dënimin e tij me 7 vite burg. “Kambo Marshall”, ka pasur kulmin e aktivitetit të saj gjatë viteve 1996-1997, kryesisht në qytetin e Beratit, me 455 kreditorë, të cilëve u kishte marrë rreth 800 mijë dollarë. Sipas Prokurorisë vepra penale ishte kryer në formën e aktivitetit huamarrës piramidal. Kambo u akuzua se kishte mbledhur shuma të mëdha financiare nga qytetarët, duke u premtuar kthimin e tyre me përqindje, por më pas nuk e kishte mbajtur premtimin e dhënë. Në momentin që policia dhe Prokuroria filluan hetimet për aktivitetin e tij, Ylli Kambo u largua nga Shqipëria, ndërsa u arrestua vite më pas në Bukuresht të Rumanisë për t’u ekstraduar në Shqipëri.
I Denuari
Ylli Kambo, në datë 25 maj 2011, i dënuar me 10 vjet burg për “vjedhje të pasurisë me anë të mashtrimit”
I ekstraduar nga Bukureshti i Rumanisë, në Shqipëri në datën 24 prill 2003
Akuzohet se ka vjedhur pasurinë e rreth 455 qytetarëve shqiptarë me aktivitet piramidal
Përfundoi dënimin dhe u lirua nga burgu më
27 prill 2010











