Në betejën e saponisur zgjedhore për Tiranën, kandidatët u futën në kontrast me njëri-tjetrin; Basha si alternativë menaxheriale direkte, ndërsa Rama si sfidant politik përtej Bashkisë. Me anë të këtij impostimi, të dyja figurat në garë për Bashkinë e kryeqytetit kanë për qëllim jo thjesht që të diferencohen si profile (ata janë dukshëm mjaft të ndryshëm si të tillë), por edhe të krijojnë epërsi ndaj kundërshtarit. Kjo strategji do të ishte e rregullt në logjikën e komunikimit politik modern ku lejohet pak a shumë gjithçka kur bëhet fjalë për të krijuar epërsi në fushata elektorale, sikur të mos ishte ndërtuar mbi një paradoks, pasi praktikisht nuk i vendos rivalët fare ballë për ballë, por në planetë krejt të ndryshëm. Me anë të një kombinacioni të tillë, njëri prej lojtarëve është i destinuar që herët a vonë të mbetet jashtë loje, ose të detyrohet që të futet në lojën e kundërshtarit, duke e bërë më së paku të pavlefshme epërsinë e kërkuar prej tij me anë të këtij artifici.
Dhe vërtet, po bëhet e qartë ditë pas dite, nga vetë lëvizjet ose daljet e tij elektorale, se lojtari i pozicionuar keq në startin e kësaj beteje dhe në vijim të saj është pikërisht kryetari aktual i Bashkisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili praktikisht po tërhiqet drejt një fushate alternative, duke hequr dorë nga fushata politike. Megjithëse me vonesë, edhe Rama po ndjek tanimë rendin normal të takimeve me komunitetin lokal, megjithëse pati pohuar në krye të herës ndjekjen e një rendi tjetër, atë të natyrës së krijuar me opozicionin e këtyre dy viteve, pra fushatë politike për “përmbysjen e regjimit të kusarëve”. U pa qartë që në komunikimet e para publike se qasja alternative dhe korrekte e kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, e nxirrte kundërshtarin socialist të tejofruar dhe artificial. Qasja e Ramës e bën kandidaturën e tij të duket e pasinqertë dhe si e tillë e pabesueshme.
Ka diçka të deformuar që tingëllon e panatyrshme që në konstruktin e ofertës së katërt Rama për Bashkinë e Tiranës dhe kjo pikërisht për arsyen se zgjodhi të vetëkandidohej përkundër të gjitha arsyeve për ta bërë këtë në kushtet dhe rrethanat aktuale, kur është njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste që mëton pushtetin qendror sahat e më parë. Me këtë rikandidim, ku shpallet si “e vetmja rrugë”, Rama jep, pra, pamjen e parë të deformuar të tij si kandidat, duke mëtuar në radhë të parë se është “i vetmi” në radhët e opozitës socialiste që mund t’i japë PS-së fitoren e Bashkisë së Tiranës, qoftë kjo edhe në tentativën e tij të katërt.
Deformimi i dytë qëndron në impostimin e tij si përtej-kandidat lokal ose një lloj “plot-fuqie” elektorale, që synon qendroren te lokalja, ose madhoren te minorja, pra të mbërrijë te fitorja e madhe nëpërmjet zgjedhjeve të vogla. Me anë të këtij impostimi, Rama kërkon ta vendosë veten edhe njëherë përballë Berishës me shpresën se do të korrë të mbjellat e këtyre dy viteve opozitë kundër këtij të fundit, ani pse jemi në vendoret dhe jo në të përgjithshmet. Artifice të tilla e bëjnë kësisoj të pabesueshëm këtë herë Ramën si kandidat për Bashkinë e Tiranës, sado i lartë qoftë ofiqi i tij në zyrën tjetër, atë të Partisë Socialiste.
Megjithëse një kandidat krejtësisht i natyrshëm brenda së djathtës, si ylli i ri dhe në ngjitje i saj, as Basha nuk i ka shpëtuar një lloj deformimi elektoral në përpjekjen për të ndërtuar epërsi ndaj Ramës në betejën për Tiranën. Në kontrast me Ramën, që ofrohet pa pikë modestie si përtej-kandidat, Basha e ka ofruar veten në minimum politik, duke rrezikuar kësisoj të reflektojë gjithashtu një lloj panatyrshmërie.
Nuk është logjike që t’i ndash Bashës-administrator Bashën-politikan dhe ndoshta do t’i duhej që së paku projektin e tij për Tiranën ta përkthente edhe në gjuhë politike përpos asaj teknike e manaxheriale. Pra Basha ka nevojë për atë “politizimin” e duhur që shpreh në zgjidhje politike atë koncept menaxherial që propozon në projektin e tij për Tiranën.
Edhe pse nuk është koherente që kandidatët të përmbysin veten krejtësisht në fillim, vazhdim apo përfundim të fushatës, duket se kjo do të jetë një fushatë me surpriza në këtë drejtim duke qenë se jemi vetëm në fillim të saj. Sido që të shkojë, e sigurt është se zgjedhësit votojnë kandidatin real, që do të thotë Bashën me gjithë përmasat politike të mëdha ose të vogla qofshin ato, dhe Ramën bashkë me bilancin lokal, më tepër pozitiv ose negativ qoftë ai; votojnë madje kandidatin me gjithë buzëqeshjen e tij, të natyrshme ose të sforcuar elektorale që i vesh fytyrës…
© Panorama.al












