Rrëfehet Bogdani: Nga Çezena te Florian Myrtaj

Apr 8, 2011 | 12:26

Erjon Bogdani beson te mbijetesa e Çezenës, ekipit ku ai luan aktualisht, madje thekson se do të rinovojë kontratën e tij edhe për një sezon në Serie A.Në një intervistë për mediat italiane, sulmuesi i Kombëtares tregon edhe arsyet se përse nuk arriti të shënojë në ndeshjet e fundit, si dhe për patriotin e tij, Florian Myrtaj, i cili e ndjek në stadium në thuajse çdo ndeshje të Çezenës në fushën e vet.
E menduat atë rast të humbur të dielën ndaj Fiorentinës?
Po, e pashë atë moment dhe të them të drejtën mbeta i zhgënjyer, edhe pse duhet thënë se Boruc (portieri i Fiorentinës) bëri një pritje spektakolare. Bëra çdo gjë mirë: u spostova në të majtë, pasova te Rosina (lojtar i Çezenës), i cili ma pasoi sërish dhe pa u menduar më, gjuajta nga një pozicion i volitshëm. Bëra të pamundurën, por nuk arrita që të shënoj. Gjithsesi, mendoj se barazimi nuk ishte një rezultat që nuk duhet vlerësuar, pasi kishim përballë një skuadër mjaft të mirë.
Shtatë ndeshje nga fundi i kampionatit, duket se lodhja po ndihet te të gjithë ju…
Nëse ka një skuadër që fizikisht ka qenë gjithnjë mirë nga fillimi i sezonit, ajo është Çezena. Përveç dy-tri ndeshjesh, kemi treguar se jemi në formë dhe për më tepër, nuk kemi vuajtur dëmtime të rënda.
Në këtë kontekst mund të themi se mund të fitohet edhe në Palermo?
Do jetë shumë e vështirë, pasi vendësit do të kërkojnë me çdo kusht që të reagojnë pas humbjes fatale në derbi me Katanian. Por jemi të koncentruar në maksimum për këtë ndeshje. Dhe sikundër ka thënë edhe trajneri ynë, Çezena nuk duhet të fitojë, por të stërfitojë, pasi në çdo ndeshje duhet të tregojmë se jemi në lartësinë e duhur pasi një gabim i vogël, dhe kundërshtari e ka shumë të lehtë të përfitojë e të na mundë.
Në fakt, gjatë kësaj periudhe keni humbur shumë raste për gol dhe pësuar gjithashtu…
Po, është tamam kështu. Për një skuadër që ka si objektiv mbijetesën, nuk duhet të gabojë kaq shumë. Jemi gati në një linjë me fazën e parë: kemi shënuar vetëm 4 gola më shumë dhe pësuar po kaq. Gjithsesi, që nga tani e deri në fund duhet që të përmirësohemi, sidomos në aspektin defensiv. Me këtë nuk dua të them që ne sulmuesit nuk duhet të bëjmë të njëjtën gjë: të vrapojmë më shumë dhe të ndihmojmë edhe në aspektin mbrojtës.
Me 30 ndeshje të luajtura dhe 6 gola të shënuar, duket një sezon pozitiv për ju apo jo?
Jam i kënaqur që kam luajtur kaq shumë, por nuk jam edhe aq i kënaqur me periudhën e fundit: nga ndeshja e Kombëtares sime u ktheva paksa i lodhur, dhe nuk e shikoj veten të shkëlqej si në fillim të sezonit. Por, bilancin përfundimtar do ta bëj në fund të sezonit.
Të dielën dolët nga stadiumi me Myrtaj, patrioti juaj…
Po, jemi miq të mirë dhe kemi luajtur bashkë edhe në Kombëtare. Ai vitin e kaluar i dha fund me futbollin e luajtur dhe tani jeton në Modena, ndaj vjen edhe më shikon shpesh në ndeshjet në “Manuzzi” (stadiumi i Çezenës).
Po për 2011-12, cili është programi yt?
Kam një kontratë me opsion edhe për një sezon tjetër me Çezenën. Madje edhe një parakontratë, në rast se skuadra bie një kategori më poshtë. Por unë sinqerisht dua që të luaj në Seria A, pasi ndiej se mund të jap ende në këtë nivel. Pas pak ditësh mbush 34-vjeç, ndaj dua të shfrytëzoj të gjitha mundësitë e mia për të qëndruar në këtë kategori.
Sa beson te mbijetesa?
Janë disa faktorë që duhen marrë në konsideratë. Nga njëra anë skuadra ka në përbërje lojtarë të rinj, të cilët nuk kanë shumë eksperiencë në Serie A, por nga ana tjetër ka edhe lojtarë me eksperiencë, por që nuk luanin një kampionat të tillë, të fortë prej disa vitesh. Mbijetesa do të ishte një mrekulli për ne, por ju siguroj që do luajtëm fort dhe besojmë se do t’ia arrijmë.

© Panorama.al

Te lidhura