Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë një manual për çdo komision zonal me të cilin do të përcaktohen masat ndaj çdo braktisje, të komisionit të qendrës së votimit.Mbledhja e djeshme e KQZ-së nuk mundi të dalë me një draft përfundimtar të miratuar, por u vendosën piketat mbi të cilat do të veprohet në rastet e tërheqjes së komisionerëve ditën e zgjedhjeve nga partitë politike. Kreu i institucionit qendror të zgjedhjeve, Ristani, e cilësoi krim braktisjen e qendrave të votimit nga ana e komisionerëve. “Pjesa më e madhe jona është e shqetësuar për fenomenin e braktisjes së qendrave të votimit, i cili përsëritet vazhdimisht. Duhet goditur sa më shpejt krimi, se për mua kjo kërkon ndëshkim penal. Sapo të braktiset qendra e votimit nga komisionari, duhet bërë menjëherë denoncimi në organet e drejtësisë dhe ato të veprojnë shpejt”, u shpreh Ristani. Për këtë ai propozoi disa masa, bazuar dhe në propozimet që u bënë dhe nga anëtarët e tjetër të KQZ-së. “Administrata të përgatisë një projekt-akt ku të përcaktohen qartë njerëzit që duhet të ketë në dispozicion çdo KZAZ për të zëvendësuar komisionarin që largohet nga qendra e votimit. Ndërkohë që KQZ-ja do të kërkojë nënshkrimin e një memorandumi me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, të cilat duhet të veprojnë menjëherë, të mos lejojnë komisionarin të largohet nga qendra e votimit bashkë me materialet zgjedhore, vulë, listë zgjedhore, procesverbale”, u shpreh Ristani. Kreu i KQZ-së shprehu domosdoshmërinë e përgatitjes së vulave rezervë, të cilat mund të vihen në punë në rast marrjeje të saj nga ndonjë komisioner. “Nga ana tjetër, duhet të prodhojmë vula shtesë në kohë që të mos bllokojmë procesin zgjedhor”, u shpreh Ristani. Në diskutimin për këtë çështje kanë marrë pjesë vetëm anëtarët e propozuar nga shumica parlamentare. Klement Zguri kërkoi nga KQZ-ja që të mos neglizhojë asnjë shkak që mund të çojë në delegjitimimin e procesit zgjedhor dhe për këtë, sipas tij, duhet të merren të gjitha masat. “Të bëjmë të mundur që fletët e votimit të mbrohen me dy vula, dhe jo vetëm me vulën e sekretarit, i cili pas një urdhri politik mund të tërhiqet duke dëmtuar procesin zgjedhor. Sa herë që partitë politike kanë dashur të bllokojnë procesin dhe të çojnë atë të pavlefshmëri, kanë tërhequr komisionarin që ka pasur vulën në zotërim e duke i nxjerrë fletët e votimit të pavlefshme për shkak të mungesës së njërës prej vulave”, u shpreh Klement Zguri. Sipas tij, KQZ-ja duhet të garantojë një bashkëpunim të mirë me organet e rendit për të mos lejuar asnjë komisioner që kërkon të braktisë procesin e votimit të ikë bashkë me vulën. “Komisionerët janë aty për të zbatuar ligjin. Largimi nga qendra e votimit është shkelje e ligjit”, u shpreh Zguri. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti, propozoi se njerëzit më të përshtatshëm që mund të zëvendësojnë komisionarët, në rast kur braktisin qendrat e votimit, mund të jenë mësuesit. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ylli Manjani, propozoi se pjesë e kësaj liste mund të jenë dhe pedagogët e universiteteve, të cilët janë shtrirë pothuaj në çdo qytet të vendit. “Ana ligjore për të bërë zëvendësimin e komisionerëve që braktisin qendrat e votimit bazohet në nenet 29 dhe 36 të Kodit Zgjedhor, që i japin hapësirat ligjore KQZ-së të bëjë zëvendësimet e nevojshme”, u shpreh Manjani.
Diskutimet e djeshme në KQZ
Arben Ristani: Ka ndonjë mendim nga ju se si mund të shmangim largimet e komisionerëve bashkë me vulën nga qendrat e votimit?
Klement Zguri: Duhet t’i paraprijmë disa elementëve që partitë politike do të duan të deligjitimojnë procesin zgjedhor; e para, përmes pavlefshmërisë, e cila do të synohet të arrihet nga mungesa e njërës prej dy vulave të komisionerëve, kur njëra do të mungojë në fletën e votimit dhe për këtë shkak, do të kërkohet pavlefshmëri të rezultatit dhe të zgjedhjeve. Të bëjmë të mundur që fletët e votimit të mbrohen me dy vula. KQZ-ja të mos neglizhojë asnjë shkak që mund të çojë në delegjitimim të procesit zgjedhor. Për këtë duhet të kemi dhe bashkëpunim me organet e rendit që të mos lejohet asnjë komisioner të braktisë qendrën e votimit duke marrë me vete materialet zgjedhore, përfshirë këtu vulën, por dhe procesverbale dhe lista zgjedhore.
Njazi Kosovrasti: Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it i kërkojnë KQZ-së të garantojë procesin e administrimit të zgjedhjeve. Nëse largohen komisionerët, një kontingjent i mirë për t’i zëvendësuar ata janë mësuesit, të cilët ndodhen në çdo cep të vendit dhe plotësojnë kriteret.
Ylli Manjani: Pranë çdo KZAZ-je duhet të ketë një listë emrash në dispozicion që të jetë i gatshëm të zëvendësojë ata komisionerë që braktisin detyrën. Përveç mësuesve mund të jenë dhe pedagogët e universitetit. Nenet 29 dhe 36 të Kodit Zgjedhor i japin të drejtë ligjore KQZ-së të bëjë zëvendësimet e nevojshme kur komisionerët braktisin qendrat e votimit.
Arben Ristani: Pjesa më e madhe jona është e shqetësuar për këtë fenomen që përsëritet në çdo palë zgjedhje. Duhet goditur sa më shpejt krimi i braktisjes së qendrave të votimit nga komisionerët. Nga ana administrative duhet të prodhojmë vula shtesë në kohë që të mos bllokojmë procesin zgjedhor.
Vera Shtjefni: Jam dakord me propozimin për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes KQZ-së –Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, që të bëhet menjëherë ndalimi i atyre komisionerëve që braktisin procesin që të mos bllokojmë zgjedhjet.
Arben Ristani: Administrata të përgatisë një projekt-akt për këtë çështje dhe ta diskutojmë në mbledhjen e ardhshme. Gjithashtu dhe një projekt Memorandum bashkëpunimi me Policinë, Prokurorinë dhe Ministrinë e Arsimit për angazhimin e mësuesve.
“Zoti Kosovrasti je bërë si n.kryetar i KQZ”
Mes nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, dhe përfaqësuesit të PD-së në këtë institucion, Njazi Kosovrasti, nuk munguan dhe debatet, duke shfaqur në këtë mënyrë situatën jo të qetë dhe pas kthimit të përfaqësuesve të majtë në komision. KQZ-ja diskutonte rastin e një vendimmarrje të KZAZ-së për Bashkinë e Shkodrës.
Kosovrasti: Le të na thotë zonja Subashi se si veprohet në këtë rast
Subashi: Kush je ti që më tregon mua se çfarë do të bëj? Ju zoti Njazi e keni bërë dhe herë tjetër këtë ironi.
Kosovrasti: Zonjë e nderuar, jeni nënkryetare e KQZ-së dhe mos u merrni me mua, por me çështjen.
Subashi: Mos fol shumë o derbardhë! Unë e di që ti je nënkryetar i KQZ-së në këtë institucion!
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











