Ish-deputeti Ervin Salianji ka folur për gjendjen e përgjithshme të Partisë Demokratike dhe performancën e saj në zgjedhje dhe protesta, duke e cilësuar situatën si të dobët dhe të përsëritur prej vitesh.
Ai u shpreh në emisionin “Studio24” se opozita nuk mund të vazhdojë të kërkojë durim pas kaq shumë vitesh në opozitë, duke theksuar nevojën për ndryshim të menjëhershëm. Ai komentoi edhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke e konsideruar atë si të dobët.
“Ne kemi 13 vite në opozitë, nuk duhet durim, duhet nxitim i madh, reagim i fortë, përballje e fortë. Çfarë durimi të kemi ne, kemi 13 vite në opozitë dhe jemi shumë më dobët se më parë, Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ishte i dobët. Të gjithë elementët që kanë të bëjnë me deformimin e vullnetit të zgjedhësve janë të njëjtat si më parë. Ndërsa sot kemi rezultat edhe më të dobët”, deklaroi ai.
Salianji kritikoi gjithashtu përzgjedhjen e kandidatëve dhe mënyrën e organizimit të protestës, duke thënë se mungesa e përfaqësimit të strukturave ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët.
“Ka gabuar në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, mosrespektimi i kontributeve të njerëzve me vlera në PD. Një arsye pse protesta ishte aq e dobët në pjesëmarrje është për shkak se janë shmangur njerëzit në struktura që kanë kontribut dhe mbështetje. PD aq njerëz i mbledh në një qytet”, përfundoi Salianji.
© Panorama.al












