
Ngjarjet e fundit në Laçi-Flamurtari, ku u godit me kapsollë portieri i vlonjatëve, Shpëtim Moçka, kanë indinjuar tifozërinë e këtij qyteti.Ashtu siç ishte paralajmëruar, dje mbështetësit e Flamurtarit zhvilluan një protestë përpara stadiumit. Rreth një mijë sportdashës vlonjatë janë grumbulluar para sheshit të stadiumit, duke hedhur akuza të ndryshme ndaj federatës dhe ekipit të Skënderbeut. Në protestën e djeshme përveç tifozëve janë bashkuar dhe shumë kalimtarë të çastit. Nuk ka munguar as presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Tifozët kishin përgatitur banderola kundër ekipit të Skënderbeut dhe Federatës, duke ironizuar drejtuesit e këtyre të fundit. “Jemi mbledhur këtu për të protestuar për padrejtësitë që na janë bërë dhe për pikët e vjedhura ndaj skuadrës sonë. Ekipi është masakruar, në veçanti në ndeshjen me Laçin, ku një prej lojtarëve tanë u gjakos se po luante drejt. I bëj thirrje Federatës për të mos luajtur me gjakun e tifozëve vlonjatë dhe të ekipit të Flamurtarit. Gjithashtu t’i japë drejtësi futbollit, se në rast të kundërt ne do shkojmë në Tiranë të gjithë siç jemi para Federatës për të protestuar. Në rast se Federata nuk do të na japë tre pikët në tavolinë, përveç bojkotit të ndeshjes me Tiranën. NE si tifozë do të kërkojmë vetëgjyqësi duke marrë përsipër të caktojmë vetë fatin e Flamurtarit. Po ashtu, nuk do të lejojmë as autobusin e Tiranës të kapërcejë urën e Mifolit”, ka pohuar një prej liderëve në protestë. Më tej tifozët kanë kërkuar edhe ndihmën e ish-futbollistëve të shquar të ekipit vlonjat si Roland Iljadhi, deputetit aktual të PD-së Kreshnik Çipi, për t’u bërë presion politikanëve që të heqin dorë nga shkatërrimet që po i bëjnë futbollit.
Gjika kërcënon: 10 mijë veta para FSHF-së
Shpëtim Gjika në fjalimin e tij përpara tifozëve të Flamurtarit ka kërcënuar Federatën se do të shkonte me 10 mijë tifozë në dyert e kësaj te fundit. “Vlonjatë pa dallim bindje, tifozë të Flamurtarit, tifozë të lojës së ndershme, Flamurtari është fituesi moral i këtij kampionati të fëlliqur. E patë mjaft mirë atë që ndodhi në Laç, në Peqin dhe në Ballsh, ku na sakatuan nga këmbët. Në Peqin na kërcënuan me pistoleta, por nuk u mjaftuan më kaq, pasi në Laç provuan edhe bomba për të na ndaluar. Por, ne do ta vazhdojmë betejën tonë dhe ju siguroj juve se Flamurtari do të luajë gjithmonë drejtësisht. Dhe në rast se vendimi i Federatës nuk do t’i përgjigjet dy standardeve që ne kemi votuar i bëj thirrje zotit Duka të mos tallet me Flamurtarin. Sot jemi mbledhur vetëm 1 mijë veta, por pas dy a tre ditësh do të mblidhemi 10 mijë veta përpara Federatës”, ka përfunduar fjalimin e tij presidenti Gjika.
Disiplina shtyn vendimin për Laçi-Flamurtari
Komisioni i Disiplinës ka shtyrë vendimin mbi ngjarjet e ditës së hënë në ndeshjen Laçi-Flamurtari. Arsyet nuk janë bërë shumë të qarta, por sipas sqarimit anëtarët kanë kërkuar një mendim më të specializuar për të bërë më shumë hetime mbi këtë ndeshje. “Në lidhje me kërkesën ankimore të KF Flamurtari, Komisioni i Disiplinës vendosi që nëpërmjet inspektorëve të FSHF-së të bëjë një hetim të plotë në lidhje me ndeshjen Laçi–Flamurtari dhe të raportojnë pranë Komisionit brenda 5 ditëve, bazuar kjo në nenet 109 dhe 110 të KD-së”, thuhet në vendimin e Disiplinës. Gjithsesi, duhet të kujtojmë se për ndeshjen në fjalë, si delegati dhe vëzhguesi bënë një raport të hollësishëm, por përsëri Komisioni nuk ka pranuar të marrë një vendim. Kjo krijon një precedent negativ duke qenë se jemi vetëm tri javë nga fundi i kampionatit dhe pa një vendim final, i penalizuar edhe Flamurtari, ndërsa Skënderbeu favorizohet gjithnjë e më shumë.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











