Rënia e komunizmit, Topi dekoron kontribuesit

Apr 5, 2011 | 12:04

TIRANË- Presidenti Bamir Topi nderoi dhe dekoroi sot personalitete të ndryshme të vendit për kontributin e tyre në lëvizjen demokratike të viteve 1990-91 dhe në rrëzimin e regjimit komunist e të simboleve të tij, më 20 shkurt 1991. Ceremonia është zhvilluar sot në mjediset e Presidencës. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Këshilltari Ligjor i Presidentit, zoti Artur Metani, Kreu i Shtetit u dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes” në shenjë vlerësimi të veçantë, përkatësisht:

Zotit Lulzim Brahja, me motivacionin: “Për kontributin në Lëvizjen Demokratike, në rrëzimin e simboleve komuniste dhe fitoren e demokracisë, për ndihmën financiare të dhënë në ndihmë të shoqatave, familjeve kosovare dhe njerëzve në nevojë”;

Zotit Agim Buxheli, zotit Bujar Kore dhe zotit Fatmir Çepani me motivacionin: “Për kurajon, guximin qytetar dhe profesionalizmin e treguar si operator televiziv, në filmimin e ngjarjeve të mëdha të Lëvizjes Demokratike, veçanërisht, të 20 shkurtit 1991, për rrëzimin e monumentit të diktatorit, si simbol i rënies së komunizmit në Shqipëri”; dhe zotin Eqrem Kavaja, “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacionin: “Për kontribut në organizimin e Lëvizjes Sindikaliste si pjesë e ndryshimeve demokratike dhe në integrimin e familjeve të ish-të përndjekurve politikë”.

Ndërsa me medaljen “Pishtar i Demokracisë” Presidenti Topi nderoi:

Zotin Gani Xhengo, me motivacionin: “Për kontribut dhe profesionalizëm në dokumentimin e ngjarjeve të mëdha të transformimeve demokratike, nëpërmjet, fotografisë dhe botimit të një sërë albumeve, si dëshmi të historisë kombëtare”;

Zotin Gani Lami, me motivacionin: “Për pjesëmarrjen aktive, kurajon dhe guximin qytetar të treguar në Lëvizjen Demokratike të viteve 90-të, për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri”;

Zotin Hysen Berberi (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për pjesëmarrjen aktive, kurajon dhe guximin qytetar të treguar në Lëvizjen Demokratike të viteve 90-të, veçanërisht në rrëzimin e monumentit të diktatorit, më 20 shkurt 1991, ku u plagos rëndë në përleshje me policinë dhe më pas gjeti vdekjen”; si dhe zotin Jonuz Xhetani dhe zotin Bajram Kruja me motivacionin: “Për pjesëmarrjen aktive, kurajon dhe guximin qytetar të treguar në Lëvizjen Demokratike të viteve 90-të, për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri”

© Panorama.al

Te lidhura