Rëndësia e një marrëveshjeje

Apr 11, 2011 | 10:20

YLBER LILI

1-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që detyroi z.Behgjet Pacolli të japë dorëheqje nga froni i Presidentit, e futi Kosovën në një tjetër krizë institucionale dhe politike. S’do mend që një shtet i ri me institucione të brishta dhe me shoqëri ende të traumatizuar, mund të shkaktonte interpretime të lloj-llojshme.
Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës do të artikulonin tezën e shtet-dështimit, skeptikët do të inkurajonin qëndrimin e tyre ende të papërcaktuar në favor të Kosovës, nga ana tjetër, sponsorizuesit do të vinin në pikëpyetje përkrahjen e mëtejme, sakaq tek populli shqiptar i Kosovës do të riciklohej depresioni kolektiv.
Me pak fjalë, shteti i ri rrezikohej të futej në një qorrsokak dhe pa shtegdalje, sikundër do të t’i jepte shkas Beogradit dhe mbështetësve të saj për të riartikuluar teza paragjykuese. Fatmirësisht, kriza u zgjidh, politika ra në ujdi, jo gjithaq si rrjedhojë e vullnetit të partive politike, por si rezultat i një arbitri kompetendet, autoritar, serioz dhe i pakontestueshëm, siç janë SHBA-të.
Për të gjithë ata që kanë një barrë mend në kokë, edhe kësaj radhë sponsorizuesit kryesore dhe vendimtarë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës çmontuan krizën duke gjetur një zgjidhje pa kosto, pra duke shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Gjithsesi, nga e gjithë kjo histori, më shumë sesa zgjedhja e Presidentes, lajm përbën marrëveshja e arritur në planin politik, paçka që, siç thamë më lart, tagrin e konsensusit e pati ambasadori z. Dell, shteti i të cilit është lodhur duke ndjekur veprimet teatrale të politikës panshqiptare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që klasa politike e Kosovës nuk ka merita, madje, analizuar hollë-hollë, ajo veproi më maturi në kohën dhe momentin e duhur. Fundja, personalisht unë i çmoj politikanët që mundin inatin, mllefin, egoizmin dhe antagonizmat në funksion të stabilitetit të shoqërisë që ata përfaqësojnë. Madje, vlerësoj maksimalisht edhe atë kategori politikanësh të cilët u binden sugjerimeve të aleatëve tanë ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, pavarësisht se z. Thaçi dhe z. Mustafa janë tromaksur nga emri i përzgjedhur nga z. Dell për Presidente të Kosovës, sidoqoftë fakti që ata kanë dhënë ‘Ok’, është veprim që duhet përshëndetur, ngaqë marrëveshja ka një rëndësi të veçantë në kushtet e krizës.
2-Në thelb, marrëveshja në fjalë është edhe një leksion sesi zgjidhen problemet që pengojnë proceset transformuese në shoqëri. Siç duket, popujt që kanë vuajtur shumë, sikundër popujt që e çmojnë lirinë, arrijnë më shpejt të merren vesh për të gjetur zgjidhje në kohëra krizash, qofshin ato politike dhe institucionale.
Marrë në tërësi, zgjidhja e ngërçit institucional duhet përshëndetur dhe çmuar, sikurse duhen vlerësuar dhe aktorët dhe faktorët që e bënë të mundur një gjë të tillë. Bie fjala,  z. Pacolli, edhe pse e ka kthyer pushtetin qëllim në vetvete ( duke bërë ca lëvizje të çuditshme, nga ëndrra për President përfundon zv/kryeministër), në rastin e marrëveshjes duhet respektuar për bashkëpunimin me Kryeministrin, liderin e opozitës dhe me ambasadorin amerikan për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Pra, z. Pacolli jo vetëm që nuk e pengoi procesin, por përkundrazi e lehtësoi atë. Të gjitha këto që thamë më lart dëshmojnë se në Kosovë ka filluar procesi i respektimit të ligjeve dhe institucioneve. E thënë ndryshe, të gjithë aktorët dhe faktorët politike dhanë kontributin e tyre për ta nxjerrë Kosovën nga kriza institucionale.
3-Ndonëse marrëveshja politike është kryelajm, natyrisht edhe zgjedhja e Presidentes ka shumë domethënie. Tashmë Kosova ka një Presidente konsensuale, ç’është më e rëndësishmja, mbi partiake. Atifete Jahjaga, ndoshta nuk e ka profilin e lartë politik, publik dhe intelektual, megjithatë ajo ka një karrierë të suksesshme profesionale, ka autoritetin që gëzon në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por edhe në popull. Gjithashtu, ajo ka një të kaluar të pastër, qoftë në jetën private, po ashtu edhe zyrtare.
Pra, përtej paragjykimeve për profilin politik dhe publik, gjykoj se Presidentja konsensuale e Kosovës duhet analizuar në dy aspekte: së pari, përzgjedhja e saj nuk është rastësi, thënë në mënyrë figurative, ajo mund të shërbejë edhe si “zjarrfikëse” për të shuar konfliktualitet e maskilizmit politik si dhe për përmirësimin e imazhit të vendit dhe së dyti, zonja Jahjaga është produkt i Kosovës së lirë, kështu që me seriozitetin e saj do të bëhet simbol i unitetit kombëtar, por edhe simbol i Kosovës së ringjallur…
Tashmë, në kushtet kur Kosova ka Presidenten konsensuale, klasa politike, maxhoranca dhe opozitë duhet t’u qasen problemeve me seriozitet dhe përgjegjësi. Kosova e ringjallur duhet të mëkëmbet dhe të ecë me këmbët e veta.
Ndoshta është hera e fundit që aleati ynë më i fuqishëm bëhet pjesë e zgjidhjes së problemit, ngaqë ata nuk kanë kohë të merren pafundësisht. Kështu që elitat politike në Kosovë, qeveria dhe opozita, duhet sa më shpejt të përgatisin së bashku një axhendë me prioritete, për hir të interesave shtetërore. Marrëveshja është pikënisja e fillimit të mbarë, por vetëm kaq, sepse ka shumë punë për të bërë…

© Panorama.al

Te lidhura