Ka mjaftuar një gol i Kristiano Ronaldos në shtesën e parë të finales së djeshme, që Reali i Madridit të fitonte ndaj Barcelonës Kupën e Mbretit në Spanjë.Më në fund, Jose Mourinjo ia doli që të fitojë me Realin e tij ndaj Barcelonës dhe në të njëjtën kohë mund edhe Guardiolën, i cili si trajner nuk humbiste ndaj Realit prej gjashtë ndeshjesh. Barcelona luajti me të njëjtin stil loje, duke u fokusuar tek këmbët e Lionel Mesit dhe të dyshes Ksavi-Iniesta. Por, Mourinjo arriti t’u gjejë këtyre të fundit markuesit më të ashpër me një Pepe që nuk iu nda për asnjë çast Mesit dhe me Marselon që nuk i la hapësira David Vilës. Ndërkohë që në linëjn e sulmit, Ronaldo dhe Di Maria u mbështetën nga Ozil, i cili ishte në një ditë të keqe, ndaj edhe u zëvendësua në fraksionin e dytë të lojës.
Binte në sy loja e rëndë e “merengues”, sidomos ndaj Lionel Mesit, aq sa vetëm për ndërhyrjet nga ylli argjentinas arbitri nxori tri herë kartonin e verdhë për të ndëshkuar lojtarët e Realit. Ndërkaq, Barcelona prodhoi një volum të madhe loje, duke mbajtur thuajse gjithnjë topin në zotërim, ndërsa Reali luajti më së shumti me kundërsulme, duke shfrytëzuar shpejtësinë e Ronaldos. Në fund të pjesës së parë, madrilenët patën një rast të pastër me Pepen, i cili goditi shtyllën. Ndërsa në pjesën e dytë të lojës, Barcelona dominoi totalisht, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës, kjo edhe falë formës së shkëlqyer të kapitenit, Iker Kasijas. Pas 90 minutash lojë, u desh shtesa dhe në minutën e 103-të pas një sulmi pa shumë pretendime, Di Maria lëshoi një kros në zonë dhe Ronaldo arriti të gjuajë me kokë, para se Maskerano të shkonte te topi, duke shënuar golin e vetëm të takimit. Të kota të gjitha lëvizjet e Guardiolës në fraksionin e dytë të shtesës, pasi në fund ishte Reali që iu gëzua këtij trofeu, i cili natyrisht nuk ka vlerën e kampionatit spanjoll ose të Kupës së Kampioneve, por u fitua ndaj Barcelonës.
Barcelona-Real Madrid 0-1
Shënues: Ronaldo 103′
Kartonë të verdhë: Maskerano, Pedro, Mesi/ Pepe, Ksavi Alonso, Adebajor, Di Maria
Karton i kuq: Di Maria 120′
Barcelona: Manuel Pinto, Dani Alves, Piké, Maskerano, Adriano, Ksavi Hernandez, Buskets (Keita 108′), Iniesta, Pedro, Mesi, D.Vila (Afelaj 106′). Trajner: Pep Guardiola
Real Madrid: Kasijas, Arbeloa, Ramos, Karvajo, Marselo, Kedira (Granero 104′), Pepe, Ksabi Alonso, Ozil (Adebajor 70′), K.Ronaldo, Di Maria. Trajner: Jose Mourinjo











