Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane (PPE) u miratua një raport pas misionit faktmbledhës që dërgoi më herët në Shqipëri, të përbërë nga 27 anëtarë.
Në konferencën e sotme për mediat, kryedemokrati theksoi se në raport dalin në pah “të vërtetat e hidhura për Shqipërinë”, duke përmendur skandalin e Belinda Ballukut, ish zëvendës kryeministren dhe ish ministren e cila është vënë nën akuzë nga SPAK, si dhe në qëndrimet e kryeministrit Edi Rama ndaj Prokurorëve e gjykatësve.
Berisha tha mes të tjerash se raporti ndalet edhe te skandali i AKSHI-t, ish dejtuesja e së cilës Mirlinda Karçanaj akuzohet se ka vepruar si një grup i strukturuar kriminal së bashku me të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë dosje.
Kreu i PD-së shtoi se në raport sugjerohet si e vetmja zgjidhje për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme qeveria teknike.
“Raporti ndalet plotësisht në dosjen Balluku në qëndrimet e Edi Ramës ndaj kësaj dosjeje që e implikojnë direkt, në sulmet që i bën prokurorisë e gjykatës për këtë dosje. Ndalet te AKSHI, dora e zezë e tij në dosjen e AKSHI-t. Ndalet tek koncesionet dhe PPP-të, te Prokurimet Publike me klientelë. Edhe këtu nuk ka garë, linjë ndarëse.
Gjithçka është e përqendruar në duart e Edi Ramës. Kurrë ndonjëherë një raport i tillë nuk është votuar nga një organizatë kaq prestigjioze si Partia Popullore Evropiane. Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces të lirë e të ndershëm zgjedhor.”, deklaroi Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Për Shqipërinë, asambleja miratoi raportin e misionit faktmbledhës që dërgoi, të përbërë nga 27 anëtarë, në datën 26-27 shkurt të vitit 2026. Dhe po për Shqipërinë, asambleja miratoi një rezolutë të veçantë kushtuar Shqipërisë dhe gjendjes në Shqipëri. Unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të pakufishme për drejtuesit e PPE, presidentin Veber, sekretaren e përgjithshme Monstserrat, të gjithë ata që erdhën në misionin faktmbledhës për raportin e jashtëzakonshëm që ata publikuan dhe miratuan dje në asamblenë politike të PPE.
Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin. Kurrë ndonjëherë në ndonjë raport ndërkombëtar, të vërtetat e hidhura të Shqipërisë nuk kanë dalë aq qartë sa në këtë raport.
Raporti ka një bosht, dhe mund t’u them se boshti i tij është kapja e shtetit. Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale. Shqipëria sipas raportit, i cili citon V-Dem, thotë se ka deficite të thella, të mëdha në parimet themelore të procesit zgjedhor.
Shqipëria, sipas raportit, ka ndërtuar një rrjet patronazhistësh, sistemin e blerjes së votës, ka angazhuar grupet kriminale për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve. Ka zhdukur linjën ndarëse midis institucioneve të shtetit dhe strukturave partiake.
Shqipëria pra është vendi në të cilin narkoeurot janë shndërruar në një faktor që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare. Vendi në të cilin gara nuk ekziston ose është krejt fiktive. Makineri gjigante e larjes së parave të krimit dhe të drogës. Vendi në të cilin zyrtarisht mbrohet korrupsioni. Raporti ndalet plotësisht në dosjen Balluku, në qëndrimet e Edi Ramës ndaj kësaj dosje që e implikojnë atë direkt, në sulmet që Edi Rama i bën prokurorisë dhe gjykatës për këtë dosje.
Ndalet tek AKSHI, tek dora e zezë e tij në dosjen e AKSHI-t. Ndalet tek koncesionet dhe PPP-të. Tek prokurimet publike me klientelë. Edhe këtu, nuk ka garë, nuk ka linjë ndarëse. Gjithçka e përqendruar në duart e Edi Ramës.
© Panorama.al












