Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar dhunën e ushtruar nga policia një ditë më parë ndaj aktivistëve që protestonin para Parlamentit.
Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se “ishte egërsi shtazore ndaj protestuesve”, ndërsa theksoi se qytetarët po protestonin në mënyrën më paqësore, madje po bënin edhe sjellje qytetarie ndaj policisë.
Berisha deklaroi se ato skena të rikujtonin dhunën që disa persona të sigurisë private ushtruan ndaj një qytetari që protestonte në Zvërnec.
“E kam quajtur një egërsi shtazore. Unë nuk ua di emrat, përveç Goxhajt që Rama e ka shpallur agjent të këtij e atij, të cilët absolutisht nuk po kryenin asnjë akt dhune, përkundrazi po mbanin një qëndrim edhe dashamirës ndaj policëve, po i ofronin ujë në atë vapë të tmerrshme. Vërsulja me tërbim ndaj tyre, ajo skena me atë djalin me bluzë të zezë, ajo rikujtonte skenën e Zvërnecit. Edhe atë djalin e zvarritë 4-5 burra, e cfarë kishte bërë ai?! Asgjë, u lirua. Ishte një egërsi shtazore ndaj protestuesve. E kam dënuar dje dhe e dënoj me forcën më të madhe”, tha kreu i PD.
© Panorama.al












