Shuhet një nga studiuesit e Letërsisë shqiptare, pedagogu Ali Xhiku.
Profesori i njohur i Universitetit të Tiranës u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Lajmi është ndarë nëpërmjet një postimi edhe nga profesorja e asociuar, Lili Sula, Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike.
“Qofsh në paqe e në dritë të përsosur profesor Ali Xhiku, njeriu i rrallë, pedagogu, studiuesi i rrallë i letërsisë shqipe”, shkruan ajo mes të tjerash në postimin e saj të ndjerë në rrjetin social.
Studiuesi i shquar, ka shërbyer edhe si zv/dekan e dekan pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Tiranë.
Vitin e shkuar, profesori ishte nderuar me çmimin “Autori i librit më të mirë studimor” në Panairin e 28-të të Librit për veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri).
Ndër vepra të tjera të tij janë: “Letërsia shqipe si polifoni”, “Duke lexuar letërsinë e traditës”, “Nga romantizmi rrjedhave të realizmit”, “Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt 1999”, “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe”, etj.
© Panorama.al













