
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili rikërkon mandatin në zgjedhjet elektorale të 8 majit, prezantoi në Itali projektin e tij për zhvillimin e hapësirave urbane.Në forumin “Demokracia me ngjyra” të organizuar nga ish-kryetari i Bashkisë së Peskarës, Luciano D’Alfon-so, Rama mbajti një fjalim para një auditori prej 500 personash për punën e tij si kryebashkiak në Tiranë, si dhe iu përgjigj në fund disa pyetjeve. Duke folur për konceptin e tij për ngjyrat dhe për mënyrën sesi ndikojnë ato tek njerëzit, Rama tha se “ngjyrat mund të intimidojnë më shumë, sesa policia”. Sa i përket importimit të projektit të ngjyrave dhe të fasadave nga Tirana nëpër qytetet italiane, Rama theksoi: “Modeli i Tiranës nuk është një shembull për t’u ndjekur, por për t’u diskutuar”. Më tej, i pyetur nëse do të ishte dakord që të shkonte në Peskara për disa kohë si kryebashkiak, Rama, duke bërë humor, u shpreh se: “Nuk mundem, pasi këtu ka shumë demokraci”. Po dje, kreu i PS-së ka zhvilluar takime dhe me qindra emigrantë, që jetojnë dhe punojnë në Rimini. Ai u ka kërkuar atyre që në pamundësi për të ardhur dhe votuar, të japin për mesazhin për familjet, shokët apo miqtë e tyre, që vota në 8 maj të jetë një votë “kurrë më” për këtë pushtet, të cilin ai e cilësoi si “pushtet kusarësh”. Gjatë vizitës në Itali, Rama shoqërohej dhe nga bashkëshortja Linda, ndërsa menjëherë pas aktivitetit janë rikthyer në Tiranë, ku kanë vijuar fushatën elektorale në Laprakë. Ai prezantoi në njësinë nr. 11 në Laprakë, kandidatin Naim Asllani, ndërsa premtoi për qytetarët e kësaj zone se do të vazhdojë transformimin e saj, duke bashkëpunuar me qytetarët, si e vetmja rrugë, siç tha Rama, që Partia Socialiste ka për zhvillimin urban, social e ekonomik. Kryesocialisti përmendi gjatë fjalës së tij edhe taksën e Bashkisë, për çdo qytetar, që sipas tij është më e ulët se TVSH-ja e fshehur që qeveria i ka vënë çmimit të bukës në një muaj. Rama deklaroi më tej se rruga që Partia Socialiste ndjek, është ajo e bashkëpunimit me qytetarin, dhe jo ajo e shpenzimeve dhe zhvatjes së qytetarit, siç bën qeveria, nënvizoi ai, duke përmendur rastin e biznesit të vogël.”Ky është dallimi i madh. Rruga jonë është rruga e bashkëpunimit, rruga e shtrirjes së dorës, të një pune të përbashkët, rruga e tyre është ajo e shpenzimeve dhe abuzimeve me çdo shpenzim të marrë nga qytetarët. Shikoni çfarë ndodh me biznesin e vogël, ndërkohë që biznesi i vogël i paguan Bashkisë vetëm 2 taksa, ndërsa qeverisë vetëm për mirëmbajtjen e kasës ai i paguan 25% më shumë në vit. Kjo është Shqipëria e Saliut”, deklaroi lideri i opozitës.
G-99 çel fushatën
Lëvizja G-99 hapi dje zyrtarisht fushatën elektorale të 8 majit, me një ceremoni, që në simbolikë kishte fillimin e një gare. G-99 është pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, që kryesohet nga Partia Socialiste. Vetë kryetari i saj, Ervin Mete, tha se në këto zgjedhje kjo forcë politike synon këshillat bashkiakë, veçanërisht shtimin e të rinjve në to, por gjithashtu theksoi mbështetjen për kandidatin socialist për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama.
Durrës, hiqen posterat e kandidatit të PS
Situata e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale është tensionouar së tepërmi në qytetin e Durrësit. Në orët e para të mëngjesit të së shtunës është shënuar një incident elektoral në qytetin bregdetar, në lagjen nr.4. persona të paindentifikuar kanë thyer billboard-in, ku ishte vendosur fotoja e kandidatit socialist për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, si dhe kanë hequr posterat tij. Gjithashtu, janë hequr dhjetra flamuj të PS-së në zona të ndryshme të qytetit. Këto incidente kanë cuar në reagimin e menjëhershëm të PS-së së Durrësit, e cila nëpërmjet kryetarit të saj Gentjan Bejko denoncuan këto ngjarje si akte vandaliste. “I kërkojmë Policisë së Shtetit të kryejë detyrën, që i ngarkon ligji për të parandaluar akte të tilla kriminale, si dhe për të garantuar qetësinë dhe sigurinë publike”, tha Bejko. Megjithatë, policia informon se nuk ka pasur dijeni për ngjarjen. Një incident i tillë vjen fill pas atij të ndodhur një ditë më parë në qytetin e Sukthit, ku u dëmtua zyra e PS-së dhe u hoqën posterat e kandidatit të saj.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











