Rama: Të marrim hak më 8 maj

Apr 27, 2011 | 10:54

Kryetari i Partisë Socialiste i kërkoi qytetarëve të Tiranës të ndëshkojnë qeverinë me votë në 8 maj.Gjatë një takimi me zgjedhësit në Njësinë Bashkiake Nr. 7, ku prezantoi kandidatin socialistë për këtë Minibashki, Erion Koka, tha se qytetarët duhet t’i japin goditjen e merituar regjimit të Saliut që bën presion për votën e lirë. “Ka vetëm një mënyrë për të vepruar, të vëmë në veprim fuqinë magjike të demokracisë që me votë ta gjykojë dhe ta ndëshkojë qeverinë, kur jeta e tij nuk përmirësohet, e jo më siç kërcënohet këtu në këtë vend. Në 8 maj është dita për të marr hak hapur për një qeveri që premtoi gjithçka e përfitoi gjithçka për interesat e Saliut e oborrit të tij, ndërsa shqiptarët kanë humbur gjithçka”, u shpreh Rama. Kryesocialisti akuzoi qeverinë se po i bën presion votuesve përmes mesazheve. “Saliu flet për një shtëpi të qytetarëve, por ndërkohë përditë e më shumë qytetarëve u çon gjithfarë mesazhesh përmes atyre që presionojnë për të ndjellë frikën. Duke shantazhuar mësuesit, u thonë se do t’ua kontrollojnë edhe votën. Ta dinë mirë mësuesit, policët e doktorët, se vota është e fshehtë dhe e pakontrollueshme. Po ashtu ta mësojë njëherë e mirë Saliu që kurrë më nuk do të ketë më shqiptar e shqiptare të vënë në presion”, tha Rama. Kryesocialisti u shpreh më tej se Tirana e sotme është Tirana e çdo shqiptari të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, për të realizuar ëndrrën e një jete më të mirë. “Tirana sot është qyteti i çdo shqiptari që erdhi për të zbuluar këtu Amerikën, për të punuar e rritur fëmijët e tij. Të gjithë fëmijët e kësaj zone, edhe pse nuk do ta harrojnë nga erdhën, do të jenë përgjithmonë qytetarë të Tiranës europiane. Ne në Bashkinë e Tiranës nuk e harrojmë për asnjë çast se jemi këtu për ëndrrat dhe shpresat e këtyre fëmijëve”, u shpreh Rama.
Kryetari i Partisë Socialiste ironizoi kryeministrin Berisha, duke thënë se përdor të njëjtin fjalim kudo që shkon, e premton të njëjtat gjëra. “Berisha e fillon me turizën dhe e mbaron me alpinizëm, pavarësisht se ka mal apo jo në atë vend ku flet. Pastaj flet për rroga, arra e lajthi, çfarë i vjen ndërmend, pastaj flet për rrugët, ata janë punë komunale dhe realizohen me paratë e taksapaguesve”, tha Rama. Sipas Ramës, Saliu e Iliri përfaqësojnë sot koalicionin e turpit që ka zgjedhur “rrugën më të keqe, të presionit e dhunës, rrugën e disfatës. “Sot vijnë vërdallë nëpër Shqipëri e Tiranë që populli t’u besojë, madje duke kërkuar votën se kanë një alternativë, përtej grabitjes së votave, vrasjeve në bulevard, shkeljes së Kushtetutës e ligjit, nuk kanë bërë asgjë, për sa i përket zhvillimit urban, social e ekonomik”, shtoi më tej Rama.

Milo në Kamzë

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ishte në Kamzë ku zhvilloi takime me simpatizantë të kësaj partie. Ai ka kërkuar që të votohet në 8 maj Rakip Suli, kandidati i Aleancës për të Ardhmen në Bashkinë e Kamzës. “Duke votuar për Rakip Sulin, nuk keni votuar vetëm për një individ që ka marrë përsipër barrën e rëndë që të përballojë këtë sfidë për të qeverisur komunitetin tuaj nesër. Ju i bëni një shërbim në radhë të parë vetes suaj, familjeve tuaja, fëmijëve tuaj, të ardhmes suaj”, tha Milo.

Ekrem Spahiu

Kryetari i Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu, ishte në qytetin e Krumës. Ai kërkoi mbështetjen për kandidatët e koalicionit Aleanca për Qytetarin, pasi është alternativa që kërkon bashkimin  e trojeve etnike në një shtet të vetëm. Spahiu tha se ndodhej mes hasjanëve jo vetëm për të bërë thirrje për të votuar kandidatët e koalicionit Aleanca për Qytetarin dhe Partinë Lëvizja e Legalitetit për këshillat vendore. Ai shtoi se PLL-ja e kërkon votën e çdo patrioti për t’u bërë një zë i fuqishëm në politikën shqiptare.

 

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura