Kreu socialist u kërkoi qytetarëve të mos frikësohen nga presioni që u bëhet punonjësve të administratës, mësuesve, policëve e deri ushtarëve të Gardës, pasi vota është e fshehtë.”Të gjitha presionet synojnë vetëm tkurrjen, frikësimin, dekurajimin, sepse në të vërtetë vota është e fshehtë dhe askush nuk mund ta kontrollojë. Të gjithë ata që janë të kërcënuar, duhet ta kuptojnë se kanë një arsye më shumë për të votuar për Aleancën për të Ardhmen”, tha Rama. Kreu socialist ishte dje paradite në takimet derë më derë në Njësinë Bashkiake Nr.5 në Tiranë. Në një takim me disa qytetarë të kësaj njësie në një nga lokalet e zonës, Rama ironizoi premtimet e rivales së kandidates socialiste për këtë njësi, Jeta Seitaj. “Qytetarët e dinë mirë se çfarë fshihet pas buzëqeshjes së Eleonorës, se të nesërmen do të gdhihen të lumtur. Që ëndrrat të bëhen realitet, ka vetëm një rrugë, ajo e sakrificave të vërteta dhe punës së madhe”, tha Rama. Menjëherë pas këtij takimi, Rama inauguroi 23 autobusë të rinj, të cilët i shtohen linjës së Tiranës së re dhe linjës së Saukut, ndërkohë që premtoi dhe shtimin e dy linjave të reja në kryeqytet. “Presim 8 majin për të çliruar Këshillin Bashkiak, me qëllim që të kthehet në standarde europiane linja Kombinat- Kinostudio”, tha Rama. Pasdite, kreu socialist ishte në Mamurras, ku prezantoi kandidatin socialist për këtë bashki, Dedë Ndreca. Rama deklaroi nga Mamurrasi se zgjedhjet e majit do të jenë politike. Duke u kërkuar banorëve që në 8 maj të votojnë kandidatin socialist, ai tha se vota e tyre do të jetë një investim për veten, që do t’i ndihmojë të dalin nga gjendja aktuale. “Zgjedhjet e 8 majit do jenë zgjedhje politike. Në rrugën tonë ka vend për çdo shqiptar, pasi ne jemi e vetmja rrugë që na bashkon, ndaj në 8 maj votoni Aleancën për të Ardhmen. Vota e 8 majit, investim për veten”, u shpreh kreu socialist. Duke bërë krahasimin mes qeverisjes socialiste dhe asaj demokrate, Rama tha: “Qytetet dhe komunat ku ka qeverisur e majta, nuk mund të krahasohen me ato ku ka qeverisur e djathta” duke ironizuar me deklaratat e kryeministrit. “Ai që thotë se do ta kthejmë Koplikun si Dubain dhe se në mal do të bëjë not, nuk ka asnjë qytet të tijin që mund të krahasohet me qytetet dhe komunat që ne qeverisim”, ka nënvizuar Rama, i cili është shprehur i bindur se qytetarët sot janë të zhgënjyer nga Berisha.
“Ata që i shkuan pas Saliut, kurrë nuk panë një investim për këtë qytet, prandaj, ndërkohë që flet për alternativë, Saliu duhet të kuptojë se ne jemi e vetmja alternativë, e vetmja rrugë”, ka shtuar Rama.
Gjinushi në Llakatund
Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ishte në Llakatund të komunës Shushicë, ku ka prezantuar kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Festim Çobaj. “Është shumë e rëndësishme që vota të mos ndahet, por vota e çdo të majti, që është kundër kësaj qeverie, e do që ndryshimi të nisë nga Llakatundi e më pas në gjithë Shqipërinë, vota të jetë për Festimin”, u shpreh Gjinushi.
KZAZ Elbasan pa monitorë
KZAZ-ja numër 12 në Elbasan ka probleme që kanë të bëjnë me infrastrukturën. Bëhet fjalë për tavolinat ku do numërohen votat. “Nga 10 qe janë kërkuar, KQZ ka dërguar vetëm 6 ku duhet të numërohen votat për Bashkinë e Elbasanit. Ky qytet ka 94 mijë votues dhe mungesa e vendeve të numërimit do të dyfishonte kohën që duhet për të nxjerrë rezultatin”. Ankesa u bë nga një prej anëtarëve të kësaj KZAZ-je, përfaqësues i Partisë Socialiste, Luan Dervishi. Bashkia e Elbasanit ka gjithsej 96 qendra votimi, ku 4 prej tyre janë në ambiente private, por për përcaktimin e tyre ka pasur konsensus midis palëve. M.s
Milo në Përmet
Partia Demokracia Sociale zhvilloi fushatë në Përmet, në mbështetje të kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen”, Gilbert Jaçe. “Duke mbrojtur votën, kemi mbrojtur lirinë, kemi hedhur bazat për të ndërtuar demokracinë solide, për të mbrojtur të ardhmen tonë” tha Milo. Duke votuar për Gilbert Jaçen, nuk keni votuar vetëm për një individ që ka marrë përsipër barrën e rëndë që të përballojë këtë sfidë për të qeverisur komunitetin tuaj nesër. Ju i bëni një shërbim në radhë të parë vetes suaj, familjeve tuaja, fëmijëve tuaj, të ardhmes suaj, sepse ky komunitet ka nevojë për një qeverisje të ekuilibruar”, tha Milo.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











