Deputeti i “Mundësia”, Erald Kapri akuzoi kryeministrin Edi Rama për faktin se nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me deklaratën skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunoviç se do të bënte spastrim etnik në Kosovë.
Në Kuvend, ai tha se kryeministri po sillet njësoj sikurse Enver Hoxha, teksa tha se edhe ai nuk fliste pavarësisht çfarë ndodhte në Kosovë.
Sipas tij, ministrja serbe e gjen guximin që të fyejë shqiptarët nga aleati në Tiranë që hesht, duke iu referuar kryeministrit Rama.
“Rama nuk ka qenë kryeministri i vetëm në Beograd. Ka qenë edhe Enver Hoxha. Ashtu si Rama, edhe Enver Hoxha, hapi kufijtë me ish-Jugosllavinë, bënë Ballkan të hapur, bënë edhe njësi monedhe. Ashtu si Rama, edhe Hoxha heshte për Kosovën pavarësisht se çfarë ndodhte atje. Rama ka pasur guximin të thotë se veriu i Kosovës është tokë e askujt, ka paraqitur edhe plan alternativ për veriun.
Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka thënë publikisht se Rama më ka kërkuar të pranojmë ndarjen e Kosovës. Sa për përrallat e çështjes kombëtarë ka fakte dhe tregojnë të kundërtën. Ballkani i hapur ishte projekti i Enver Hoxhës për njehsimin e Shqipërisë me Ish Jugosllavinë. Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 vitesh të fyejë rëndë shqiptarët Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht. Doni të na mbushni mendjen edhe më përralla kombëtare.
Ky kuvend po mblidhet në kushte rrethimi, a thua se jemi në gjendje lufte apo është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. U ka ngelur të nxirrni vetëm ushtrinë, si ka mundësi të mohoni atë që po ndodh në bulevard. Atje është legjitimiteti. Ky kuvend e ka humbur tërësisht. Shfuqizimi i ligjit 21/24 që bëtë me porosi me 10 deputetë është kusht i panegociueshëm i BE.
Rama deklaroi krah Marta Kos që është ligji më i mirë që kemi pasur dhe s’kemi ndërmend ta heqim. Nuk kemi vetëm një kryeminstër anti kombëtar që flirton me Vucic sikur e ka shok banke, por kemi të bëjmë me një kryeministër që ka dalë hapur procesit të integrimit. Ai shesh po e integron Shqipërinë dhe jo kjo qeveri që është bërë pengesë për shkak të interesave të errëta të Ramës.“, tha ai.
© Panorama.al












